Mandarina me pesticide të groposura, Ministria e Bujqësisë nis hetime për shkelje ligjore

Drejtorja e kabinetit të Ministres së Bujqësisë, Ermira Gjeçi, ka bërë të ditur se 10 ton mandarina të cilat ishin kthyer nga Kroacia për shkak të mbetjeve të pesticideve, janë groposur dhe nuk janë hedhur në treg për konsum. Ajo sqaroi se ky rast është denoncuar nga vetë institucionet e varësisë së Ministrisë së Bujqësisë.
Sipas Gjeçit, mandarinat ishin destinuar për eksport dhe ishin bllokuar nga autoritetet kroate pasi dyshohej se përmbanin mbetje të dy produkteve të cilat nuk ishin të miratuara nga Ministria e Bujqësisë. Ajo theksoi se ky rast ka të bëjë me një shkelje të procedurës, pasi operatori i ngarkesës nuk ka ndjekur procedurën ligjore të informimit të institucioneve të përgjegjshme për asgjësimin e produktit.
Gjeçi konfirmoi se përfaqësuesit e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) nuk kanë qenë të pranishëm gjatë groposjes së mandarinave, por është verifikuar se kjo ka ndodhur pas një hetimi administrativ. Ajo theksoi se rasti është dërguar për ndjekje penale, pasi nuk janë ndjekur procedurat e kërkuara ligjore.
Ministria e Bujqësisë ka ngritur një task-forcë për të analizuar çdo rast të mundshëm të produkteve me pesticide, qoftë ato të importuara apo të prodhuara brenda vendit. Deri më tani, janë identifikuar vetëm 4 ngarkesa pozitive nga një total prej 923.