Mexhiti: Beteja e vërtetë politike do të jetë në zgjedhjet e ardhshme lokale

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka vlerësuar se në kampin politik maqedonas raporti i forcave është dukshëm i pabalancuar, ndërsa në kampin shqiptar situata ka ndryshuar ndjeshëm, sidomos pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. “Mendoj se në kampin politik maqedonas dallimi është shumë i madh, raporti është 3-1. Në kampin politik shqiptar e kemi analizuar edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare, edhe pas zgjedhjeve, se si për herë të parë BDI nuk ka shkuar vetë në zgjedhje. Është hera e parë që shkoi me 9 parti politike nga katër komunitete, që ne thamë është legjitime, duan të marrin pjesë në super ligë, siç e promovuan ata, nuk marrin pjesë në kampin shqiptar, domethënë garojnë në super ligë. Dhe kur e panë që në super ligë nuk dolën siç e menduan, e humbën luftën atje, mandej u rikthyen sërish te skema shqiptare, te terreni shqiptar, dhe u pastrua edhe ajo dilemë,” deklaroi Mexhiti në podkastin “Dialog” në Lajm TV.
Ai shtoi se për herë të parë opozita shqiptare arriti të tejkalojë 107 mijë vota, një shifër e rëndësishme duke marrë parasysh emigrimin e madh të të rinjve në 8 vitet e fundit. “Për hir të së vërtetës, e kemi fituar BDI-në dhe janë në opozitë, por për ta vulosur këtë janë zgjedhjet lokale të ardhshme. Këtu vulën duhet ta vendosë qytetari shqiptar për vettingun, nëse ja vlen ndryshimi, rotacioni politik. Mendoj që beteja e vërtetë do të jetë në zgjedhjet e ardhshme lokale”, theksoi Mexhiti.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur debati mbi të ardhmen e politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale po intensifikohen.