Mexhiti: Flamuri shqiptar nuk është vetëm i Shqipërisë po i gjithë shqiptarëve
I pyetur për foton me flamurin shqiptar gjatë vizitës në Kombet e Bashkuara, zëvendëskryeministri i vendit në emisionin Trilling të TV24 theksoi se në mesin e flamujve të shumtë ishte edhe flamuri shqiptar, por edhe flamuri kombëtar i Maqedonisë së Veriut, të cilët edhe u publikuan.
“Unë jam përfaqësues i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe jam fotografuar para flamurit kombëtar, por jam edhe shqiptar dhe këtë nuk e fsheh. Në Kushtetutën tonë të Republikës së Maqedonisë së Veriut thuhet se ne jemi pjesë e popullit shqiptar”, tha zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.
Sipas Mexhitit, njëri flamur është kombëtar (maqedonas), dhe flamuri tjetër është i të gjithë shqiptarëve në mbarë botën, jo vetëm i shtetit të Shqipërisë.
Ai ka theksuar se Kosova është një shtet i ri me flamurin e vet shtetëror, por në raste të ndryshme të gjithë identifikojnë dhe përdorin flamurin shqiptar, i cili ka një histori që nga koha e Skënderbeut.
Sipas Izet Mexhitit nuk ka rëndësi nëse një shqiptar është në Nju Jork, Istanbul, Maqedoni të Veriut apo Greqi: “të gjithë kanë flamuj kombëtarë që i respektojnë, por si shqiptarë identifikohen me atë flamur, që nga koha e Skënderbeut”, përfundoi Mexhiti.