MEXHITI: GJUHA ËSHTË PËRCAKTUESI THEMELOR I TËRËSISË SHQIPTARE QË KALON KUFIJTË POLITIKË
Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor z.Izet Mexhiti sot në emër të Qeverisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut u drejtua në manifestimin shkencor të titulluar “Ditët e Alfabetit” nën organizim të Institutit për Tashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve – ITKSHSH.
Zëvendëskryeministri i Parë Mexhiti, nën kujdesin e të cilit organizohen eventet për shënimin e kësaj ngjarje të rëndësishme për popullin shqiptar, në manifestim tha se të flasësh për identitetin shqiptar si identitet përbërës i peisazhit të pasur kulturor e identitar evropian, e të mos flasësh për gjuhën si themelin e tij, është e pamundur.
‘Gjuha është përcaktuesi themelor i tërësisë shqiptare që kalon kufijtë politikë e territorialë, dhe që homogjenizon kombin shqiptar si një tërësi sot. Që një popull të jetojë ose të mbijetojë, nevojitet kodifikimi ose sistemimi i memories kolektive në një formë të organizuar ose thënë më thjeshtë, në dëshmi të shkruara që i mbijetojnë kohës. E që këto dëshmi të ruhen, të organizohen në mendime, letërsi, art, koncepte politike e të ngjashme, duhet ekzistuar një element homogjenizues i organizuar i identitetit kombëtar çfarë është gjuha. Dhe gjuha pa alfabet nuk ka modus shprehjeje, nuk ka zë, është sikur e paqenë’, tha Mexhiti.
Në një botë gjithnjë e më të integruar dhe të dominuar nga i ashtuquajturi imperializëm gjuhësor dhe nga dominimi i “gjuhës”, shenjave, kodeve të teknologjisë, detyra jonë si intelektualë, politikanë, studiues e kërkues, ngelet që të bëjmë përpjekje për të ruajtur gjuhën dhe identitetin tonë kulturor, apeloi Zëvendëskryeministri i Parë Mexhiti.
‘Në këtë kontekst, politikat gjuhësore të institucioneve janë të një rëndësie pothuajse ekzistenciale për mbrojtjen dhe kultivimin e identitetit gjuhësor të një grupi etnik, prandaj, dua të deklaroj publikisht para jush se Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e determinuar për të ndërtuar një politikë të atillë institucionale e cila do t’i respektojë dhe kultivojë dallimet gjuhësore dhe ato do t’i trajtojë si asete dhe vlera të shtuara të shoqërisë. Për ta dëshmuar këtë, ne do të mbështesim dhe stimulojmë ngjarje kulturore e artistike, projekte shkencore e akademike, të cilat do ta kultivojnë diversitetin tonë si një cilësi të çmuar për të cilën jemi krenarë të gjithë’, tha Mexhiti.
Në manifestimin e sotëm, morën pjesë ministra, deputetë, diplomatë nga Ambasadat e SHBA-ve, vendeve të Bashkimit Evropian, Shqipërisë, Kosovës dhe nga shtetet e rajonit.
Eventet për shënimin e Ditës së Alfabetit shqip, nën patronatin e Zëvendëskryeministrit të Parë Izet Mexhiti filluan sot me Akademi Solemne në Qeverinë e RMV-së, më pas me manifestim shkencor në ITKSHSH, vazhdojnë me Ndarjen e Çmimit “22 Nëntori” në Kuvendin republikan, në pjesën e dytë në Manastirin e shkronjave me vizitë në Muzeun e Alfabetit, zhvillimin e Ekspozitës “22 Nëntori në Telajo” në sheshin e Manastirit, Panel diskutim “22 Nëntori-Dita e Alfabetit, Gjuha shqipe-identiteti ynë” dhe përmbyllen në mbrëmje me Koncert në Pallatin e Kulturës në Manastir.