MEXHITI: MENAXHIMI EKOLOGJIK I MBETURINAVE NË TETOVË NGA KOMPANIA AUSTRIAKE SAUBERMAHER, MODEL PËR TË GJITHA KOMUNAT

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot ishte pjesë e Forumit Mjedisor Austriako-Maqedonas që u zhvillua në Tetovë.
Në forum, ku morën pjesë edhe ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, ambasadorët austriak dhe slloven Martin Pamer dhe Gregor Presker, Mexhiti tha se ky forum është një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer përvoja, ide dhe strategji që mund të udhëheqin veprimet tona të përbashkëta për mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit jetësor.
“Austria ka një histori të gjatë të mbrojtjes së natyrës dhe ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në fushën e riciklimit, burimeve të rinovueshme të energjisë dhe ruajtjes së biodiversitetit. Gjithashtu, Maqedonia, me burimet e saj të pasura natyrore, ka një mundësi të jashtëzakonshme për të zhvilluar më tej politika dhe praktika mjedisore që do të sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e saj dhe mjedisin global. Prandaj, ky bashkëpunim, në fushën e menaxhimit të mbeturinave komunale, në një nga komunat më të mëdha në rajonin e Pollogut është veçanërisht i rëndësishëm për ne, sepse mund të shohim se si zbatohen praktikat e mira të mënyrës austriake të menaxhimit të mbeturinave komunale në vendin tone. Besoj se ky do të jetë shembull i mirë edhe për komunat tjera”, tha para të pranishmëve zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
Ajo që është veçanërisht e rëndësishme në këtë forum, tha Mexhiti është bashkëpunimi ndërkombëtar, sepse ne si dy vende mike, Austria dhe Maqedonia, kemi mundësi të mëdha për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të shkëmbyer njohuri dhe praktika të suksesshme në fushën e menaxhimit të mjedisit.
Forumi Mjedisor Austriako-Maqedonas organizohet me rastin e përvjetorit të parë të partneritetit publiko-privat ndërmjet kompanisë austriake Saubermacher dhe Komunës së Tetovës, aktiviteti kryesor i së cilës është prezantimi i menaxhimit ekologjik të mbeturinave, dhe ka për qëllim shkëmbimin e përvojave për sfidat, sukseset dhe mundësitë në rajon në menaxhimin e mbeturinave.