Mexhiti: Opozita shqiptare e paunifikuar i dha 10 vite pushtet BDI-së

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka deklaruar se në zgjedhjet e vitit 2015-16, votuesi shqiptar qartë votoi për ndryshim dhe për dërgimin e BDI-së në opozitë, por përçarja e opozitës shqiptare i dha mundësinë kësaj partie të mbetej në pushtet. “Votuesi shqiptar në vitin 2015-16 shumë qartë votoi për ndryshim, votoi që BDI të shkojë në opozitë, të reformohet dhe mandej të jetë konkurruese. Pra, nuk ka qenë faji as te votuesi shqiptar, nuk ka qenë as që BDI i ka fituar zgjedhjet, por problemi ka qenë te mosunifikimi i opozitës shqiptare. Me 120 mijë vota, po të kishin qenë të unifikuar, nuk do të kishin 10 deputetë por do të kishin 14-15 deputetë, përkundër BDI-së me 7-8 deputetë, dhe do ndodhte në mënyrë spontane ndryshimi, sikurse ndodhi në palën maqedonase me LSDM-në”, deklaroi Mexhiti në podkastin “Dialog” në Lajm TV.
Ai shtoi se mosunifikimi i opozitës shqiptare i dha BDI-së 10 vite pushtet të pamerituar, por njëkohësisht e dëmtoi edhe vetë këtë parti, duke e larguar nga realiteti politik. “Këto 10 vite kanë qenë të falura për BDI-në për shkak të mosunifikimit të opozitës. Por kjo e ka dëmtuar edhe vetë BDI-në, sepse e ka humbur kontaktin me realitetin dhe u tjetërsua nga figura si Artan Grubi dhe të tjerë që nuk kanë qenë pjesë e BDI-së kur u themelua, por u bënë pjesë për shkak të privilegjeve. Ata e tjetërsuan partinë deri në atë shkallë sa sot ka problem të ballafaqohet me realitetin”, shtoi Mexhiti. Sipas tij, reforma në BDI nuk mund të bëhet nga figura që tashmë kanë shtatë apo tetë mandate si deputetë dhe janë të përfshirë në lista të zeza.