Mickovski, dje, zbuloi planin për të degraduar gjuhën shqipe – Nuk kalon!
![](https://i0.wp.com/kohanews.com/wp-content/uploads/2024/12/bdi-logo-1024x514-1-1-750x430-1-696x399-1.webp?resize=696%2C399&ssl=1)
Deklarata e djeshme e Kryeministrit zbuloi qartë synimin e tij për të degraduar statusin zyrtar të gjuhës shqipe, duke e kthyer atë në një formulë të tejkaluar dhe të papranueshme, siç ishte në Ligjin e vitit 2008, ku shqipja përdorej vetëm me kërkesë të shqiptarëve dhe përmes plotësimit të formularëve të veçantë.
Kjo është një përpjekje e hapur për të zhbërë të drejtën e gjuhës të garantuar me Kushtetutë dhe me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve të vitit 2018, i cili e bëri gjuhën shqipe zyrtare në të gjitha institucionet qendrore.
Tashmë është e qartë se qeveria nuk e njeh këtë realitet dhe po përgatit terrenin për ta anuluar këtë ligj përmes Gjykatës Kushtetuese.
Për BDI-në, ky është një veprim i papranueshëm dhe nuk do të lejojmë që gjuha shqipe të kthehet në një status dytësor e të kushtëzohet nga burokracia apo vullneti politik i dikujt.
Ne do të përdorim të gjitha mjetet politike, ligjore dhe demokratike për të kundërshtuar këtë prapakthim dhe për të mbrojtur të drejtat tona të fituara me sakrificë.
I bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që të jenë të vetëdijshëm për rrezikun që po i kanoset gjuhës shqipe dhe të qëndrojnë të bashkuar kundër kësaj përpjekjeje për të ulur statusin politiko juridik të shqiptarëve.