Mijalkov ishte mentori kryesor i Grubit, thotë Izet Mexhiti
“Mirëmëngjes! Ndërkohë që shqiptarët e dënuar për proceset e montuara po vdisnin dhe shkatërroheshin nëpër burgje, ata punonin për shpëtimin e Mijalkov. Tani është koha për përgjegjësi!” – kjo ishte reagimi i zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti lidhur me përfshirjen e paraardhësit të tij në Qeveri, Artan Grubi, në “listën e zezë” amerikane. Mexhiti në një intervistë për “Alsat” thotë gjithashtu se Qeveria po shqyrton mundësinë që njerëzit që SHBA i kanë shpallur të padëshiruar, të sanksionohen edhe në vendin tonë.
“Ne e kemi hapur si debat që ajo që konstaton Departamenti i Shtetit duhet të vlejë edhe për legjislacionin tonë, sepse sidomos në këtë rast nuk është një formulë e përgjithshme për pengimin e Marrëveshjes së Ohrit, për destabilizimin e rajonit apo për veprime kundër proceseve demokratike, por në mënyrë taksative është theksuar se bëhet fjalë për korrupsion për të shpëtuar Sasho Mijalkov, me ndërhyrje të thellë në drejtësinë e këtij shteti… për ndërhyrje në drejtësi për shpëtimin e regjimit Gruevski-Mijalkov dhe nëse shihen bizneset ku kanë hyrë, si kazinotë, kredite e shpejta, duket se mentori kryesor që e katapultoi Grubin në politikë ishte Mijalkov”, thotë Mejiti.
Mejiti tha se edhe Ahmeti duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha veprimet e Grubit, pasi ai nuk ka bërë asgjë pa miratimin e liderit të tij.