Minçev: Pagat në administratë janë të ulëta, por shtesa prej 30 për qind e kërkuar është shumë

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës, Organeve të Drejtësisë dhe Shoqatave të Qytetarëve (UPOZ), Trpe Deanoski, dje njoftoi se të martën do të dalin në protestë punonjës nga gjashtë ministri, si dhe nga Enti Shtetëror për Statistikë (ESHS), për shkak se nuk u është miratuar shtesa prej 30 për qind në pagë.

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, nuk mund të thotë nëse do të plotësohet kërkesa e punonjësve në disa ministri për shtesën prej 30 për qind në pagë. Në një intervistë për TV 24, ai nuk mohoi që pagat e punonjësve në administratën publike janë të ulëta, por mendon se shuma që ata kërkojnë është tepër e madhe.
I pyetur drejtpërdrejt nëse punonjësit në disa ministri do ta marrin shtesën prej 30 për qind në pagë, ministri tha: “Nuk mund të jap përgjigje për këtë pyetje. Kjo është çështje e bisedimeve me sindikatat në një kontekst më të gjerë.”

“Unë mendoj se kjo shumë është tepër e madhe. Është fakt që pagat në administratë janë të ulëta, por ekzistojnë dy opsione – një marrëveshje kolektive për të gjithë, por edhe marrëveshje kolektive individuale për çdo institucion veç e veç,” tha Minçev në intervistën për TV 24.

Në lidhje me kërkesën e tyre, ai tha se mund t’i përgjigjen kur të sigurohen fondet përmes Ministrisë së Financave. Ai theksoi se për këtë nevojitet kohë, pasi kanë gjetur boshllëqe të mëdha në buxhet nga paraardhësit e tyre dhe shtoi se problemet e grumbulluara gjatë 30 viteve të fundit nuk mund të zgjidhen brenda natës.
Ministri i Administratës Publike informoi se kishte pasur një takim me kryetarin e sindikatës së UPOZ-it, ku u dakorduan që të dorëzojnë me shkrim vërejtjet e tyre për ligjet e administratës publike me të cilat nuk bien dakord dhe që në gjysmën e dytë të javës së ardhshme të kenë sërish një takim për të diskutuar për atë që mund të ndihmojë në përmirësimin e këtyre zgjidhjeve ligjore.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights