Ministrat Aliu dhe Nikoloski inspektojnë punimet në rrugën Prizren – Tetovë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ministri i Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, kanë inspektuar punimet në rrugën Prizren-Tetovë.

Prezent ishte edhe Nazim Taipi, zv.drejtor në ndërmarjen “Rrugët shtetërore të Maqedonisë së Veriut”.

Sipas Taipit “Rruga Tetove – Prizren është realitet dhe ka vullnet nga të dyja anët për t’u ndërtuar.
“Kanë kaluar mbi 3 vite nga nëshkrimi i marrëveshjes bazë (memorandumit) dhe fillojnë punët intensive për përgaditjen e dokumentacionit dhe projektimit”, ka deklaruar Taipi për portalin “tetova1”.

Punimet deri më tani janë realizuar në Lot 3, teksa me ndërtimin e saj do të bëhet shkurtimi kohor nga 3 orë në 30 minuta.

Ky lot ka gjatësinë prej afër 7 kilometrave dhe është në vlerë prej 8.3 milionë euro.

Ndërkaq vlera totale e projektit është paraparë të jetë 35 milionë euro, me gjatësi prej 20.3 km.

Ndryshe edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ditë më parë për RTK ka bërë ditur se janë bërë përgatitjet për fillimin e ndërtimit të rrugës nga Tetova deri te vendi ku do të hapet tuneli në drejtim të Prizrenit.

Ai u shpreh se janë ndarë mjete edhe për projektin e tunelit.

Me ndërtimin e rrugës, arritja nga Tetova në Prizren do të jetë për rreth 30 min nga 3 orë sa është aktualisht.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights