Ministri për Çështje Evropiane, Murtazani, nënshkroi Memorandum për bashkëpunim me Moldavinë për procesin e integrimit në BE

Në kuadër të vizitës së tij të punës në Republikën e Moldavisë, Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtazani, sot në Kishinev zhvilloi takim me Zëvendëskryetaren e Qeverisë së Republikës së Moldavisë, përgjegjëse për eurointegrime, Kristina Gerasimov. Në fokus të bisedimeve ishte bashkëpunimi bilateral dhe ambiciet e përbashkëta për progresin në rrugën drejt BE-së, me çka përforcohen lidhjet përmes mbështetjes dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.
Murtazani dhe Gerasimov diskutuan për proceset aktuale të aderimit në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Moldavisë, duke theksuar sfidat dhe mundësitë për harmonizimin e politikave nacionale me standardet evropiane. Gjithashtu, ata shkëmbyen mendime për prioritetet kryesore të reformave, veçanërisht ato që lidhen me përforcimin e institucioneve, avancimin e qeverisjes së mirë dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.

Ministri Murtazani theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe partneriteteve strategjike midis vendeve kandidate dhe aspirantë nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Lindore. Bashkëbiseduesit ranë dakord se përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimi i praktikave të mira janë thelbësore për të siguruar progres të vazhdueshëm drejt anëtarësimit në BE. Murtazani përshëndeti rolin proaktivë të Moldavisë në promovimin e vlerave evropiane dhe konfirmoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të thelluar këtë bashkëpunim përmes aktiviteteve dhe nismave konkrete.

Takimi u rrumbullakua me nënshkrimin e Memorandumit për Bashkëpunim mes Qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Moldavisë, i cili vendos bazën për shkëmbim të rregullt të përvojave dhe praktikave më të mira në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe për përforcimin e kapaciteteve të institucioneve të të dyja vendeve. Ky bashkëpunim do të fokusohet në fusha siç janë legjislacioni evropian, menaxhimi me fondeve të BE-së dhe përforcimi i efikasitetit institucional, me qëllim të përmirësimit dhe zbatimit të reformave dhe gatishmërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights