Moti në Maqedoni: Nga e mërkura pritet rritje e ndjeshme e temperaturave

Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike informojnë se këtë mëngjes, në ultësira do të ketë kushte për mjegull dhe vranësira të ulëta, ndërsa gjatë ditës pritet të jetë me diell dhe me vranësira të pakta deri mesatare, më të theksuara paradite në pjesët jugore. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare, përkohësisht e fuqishme përgjatë luginës së Vardarit nga drejtimi verior.

 

Sipas parashikimeve, temperatura minimale do të jetë në intervalin nga -3 deri në 5 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 7 deri në 14 gradë.

Në Shkup, në mëngjes do të ketë kushte për mjegull. Gjatë ditës, moti do të jetë me diell dhe me vranësira të pakta deri mesatare, si dhe me erë të lehtë deri mesatare nga veriu. Sipas sinoptikanëve, temperatura minimale do të zbresë deri në 0 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 14 gradë Celsius.

Në periudhën e ardhshme pritet mot stabil me temperatura më të ulëta në mëngjes, ndërsa ato ditore do të jenë në rritje graduale deri në fund të javës së punës.

Sipas MeteoAlarm, gjatë kësaj jave, nga 3 mars deri më 10 mars, Maqedonia do të ndodhet nën ndikimin e një presioni të lartë ajror (Anticiklon), i cili do të sjellë mot stabil, të thatë dhe kryesisht me diell. Megjithatë, nga e mërkura (5 mars), vendi do të ndikohet nga një masë ajrore ndjeshëm më e ngrohtë nga jugu, e cila do të sjellë një rritje të ndjeshme të temperaturave ditore, duke i bërë ato mbi mesataren për këtë periudhë të vitit.

Edhe në Shkup dhe rrethinë këtë javë pritet mot kryesisht me diell dhe i thatë.

Sa i përket temperaturave, në mëngjes në shumë vende ato do të jenë rreth zeros, ndërsa në disa pjesë të Maqedonisë, veçanërisht në rajonin e Berovës, zonat malore, qendrat e skijimit dhe vendbanimet më të larta, temperaturat e mëngjesit do të zbresin disa gradë nën zero. Gjatë ditës, nga e mërkura (5 mars) e në ditët në vijim, temperaturat do të jenë pranverore, duke u ngritur në intervalin nga 15 deri në 22/23 gradë Celsius.

Në Shkup, gjatë mëngjesit të kësaj jave, temperatura do të lëvizë në intervalin nga 0 deri në 2 gradë, ndërsa gjatë ditës do të arrijë deri rreth 20 gradë Celsius, veçanërisht nga mesi i javës e tutje.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights