Ndeshja e dytë miqësore, Shqipëria U-16 barazon 2-2 ndaj Hungarisë

Shqipëria U-16 luajti sot ndeshjen e dytë miqësore ndaj Hungarisë në “Shtëpinë e Futbollit”. Ky takim u mbyll në barazim 2-2.

Golat për kuqezinjtë u shënuan nga Elson Himallari dhe Arbër Lleshi.

Trajneri Andrea Tedesco e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Simon Lleshi (GK), Elton Dodaj, Frensi Mali, Petro Marku, Emiljano Malko, Afrim Gashi (C), Kledi Qosja, Eris Kurtulaj, Etrit Gjuzi, Elson Himallari, Ermal Ymeri.

Kuqezinjtë e nisën më mirë ndeshjen dhe pas disa rasteve kaluan në avantazh në minutën e 30-të me golin e Himallarit. Ky rezultat mbeti i pandryshuar deri në përfundim të pjesës së parë.

Në fraksionin e dytë, Hungaria bëri disa zëvendësime, ndërsa trajneri Tedesco aktivizoi gjatë lojës edhe Zekajn, Latajn, Matrakun, Lleshin, Rucin, Halilin dhe Vatën.

Hungaria barazoi në minutën e 72-të me Tamas Somogyi, por Shqipëria reagoi shpejt dhe kaloi sërish në avantazh në minutën e 80-të me një gol të bukur të Arbër Lleshit, i cili kontrolloi topin, kaloi një mbrojtës dhe shënoi përballë portierit.

Megjithatë, avantazhi zgjati vetëm 5 minuta, pasi Hungaria barazoi me Vincent Gorog. Ndeshja u mbyll në barazim 2-2.

Këto dy miqësore ndaj Hungarisë shërbyen si një mundësi e mirë për stafin teknik për të vëzhguar lojtarët e grumbulluar.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights