Në 116-vjetorin e Kongresit të Manastirit, Universiteti i Tetovës i promovoi veprat e Rektorit historik Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe e inauguroi Këndin e kujtesës

 

Në 116-vjetorin e Kongresit të Manastirit, Universiteti i Tetovës i promovoi veprat e Rektorit historik Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe e inauguroi Këndin e kujtesës

 

Universiteti i Tetovës sot përmes një akademie solemne të organizuar në amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” e shënoi 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Në 116-vjetorin e Kongresit të Manastirit, Universiteti ynë po ashtu e përkujtoi edhe trashëgiminë e themeluesit të Universitetit të Tetovës. Me iniciativë të Kryetarit të Senatit të UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti është bërë botimi i tërësishëm i veprave të themeluesit dhe Rektorit të parë historik të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmani, të cilat u promovuan sot dhe njëkohësisht, në hapësirat e Fakultetit Filologjik u inaugurua Këndi i Kujtesës “Fadil Sulejmani” që i kushtohet trashëgimisë së tij intelektuale dhe akademike.

 

Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli duke iu referuar rëndësisë së Kongresit të Manastirit por edhe historisë së vet Universitetit tonë, theksoi se përmes këtij organizimi dinjitoz, ne e rikthejmë në kujtesën kolektive kontributin historik të figurave të ndritura, si: Naum Veqilharxhi, De Rada, Zef Jubani, Pashko Vasa, Konstadin Kristoforidhi, Vëllezërit Frashëri dhe rilindësit tjerë si dhe misionin e tyre, për ta shpëtuar çështjen kombëtare. “Krahas nderimit  të përjetshëm për të gjithë aktorët e kësaj ngjarjeje historike, po ashtu sot në këtë veprimtari kulturore e kujtojmë me nderimet më të larta themeluesin, Rektorin e parë dhe historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmanin, dijetarin e guximshëm që hyri në histori me veprën kapitale, themelimin e Universitetit të parë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Profesor Fadil Sulejmani e ndoqi rrugën titanike të misionarëve të Rilindjes kombëtare,  përvijoji  misionin e tyre në shërbim të kombit shqiptar kudo që ai jeton dhe vepron. Kongresi i Manastirit dhe Universiteti i Tetovës, janë histori të papërsëritshme suksesi dhe si të tillë do të kujtohen edhe nga gjeneratat që do të vijnë pas nesh” – shtoi ndër të tjera Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

 

Për Kongresin e Manastirit dhe ndikimin e tij në identitetin kombëtar përfshirë rrafshin linguistik dhe atë politik foli dekani i Fakultetit Filologjik të UT-së Prof. Dr. Berton Sulejmani. Sipas tij, në 6 mbledhjet e mbajtura në shtëpinë e Gjergj Qiriazit, u hartua një program kombëtar prej 18 pikash, i cili u bë një nga dokumentet më të rëndësishme të Kongresit të Manastirit. “Në këtë dokument nga kërkesat kryesore politike ishin: Autonomi territoriale-administrative për Shqipërinë; Njohja zyrtare e kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe; Ngritja e arsimit të pavarur shqiptar duke i kthyer të gjitha shkollat e ulëta e të mesme shtetërore turke në Shqipëri në shkolla kombëtare shqiptare, në të cilat gjuhë e mësimit do të jetë gjuha shqipe, kurse turqishtja do të mësohej si lëndë e veçantë nga viti i katërt i shkollës fillore; Rëndësia e veçantë e këtij Programi Politik qëndron në atë se përmbysi pretendimet e turqve të rinj dhe turkoshakëve shqiptarë për ta kufizuar Kongresin vetëm me çështje të alfabetit. Kështu, pas nëntë ditësh pune, më 22 nëntor 1908, Kongresi i Manastirit hyri në historinë e kulturës shqiptare si Kongresi që vendosi për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe” – deklaroi mes tjerash dekani i Fakultetit Filologjik Prof. Dr. Berton Sulejmani

 

Në akademinë dedikuar 116-vjetorit të Kongresit të Manastirit u promovuan nëntë botime të Rektorit të parë të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Nismëtari i këtyre botimeve Kryetari i Senatit të UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve falënderoi të gjithë kontribuuesit që kanë punuar për ribotimin e këtyre veprave, duke e bërë të mundur që ato të mbeten gjithmonë në sirtarin dhe këndin e kujtesës sonë kolektive. “Jam krenar që gjatë gjithë rrugëtimit tim intelektual dhe institucional, jam përpjekur me gjithë qenien time që emri i tij të jetë prezent kudo andaj  ribotimi i këtyre veprave është një borxh moral që më në fund ndjej se po e përmbush, ndaj figurës që frymëzoi jo vetëm brezin e tij, por edhe çdo student, studiues dhe intelektual që kërkon të gjejë udhëzime në mendimet dhe shembullin e tij. Me këtë akt dua t’ju tregoj studentëve, studiuesve të ardhshëm dhe mbarë komunitetit akademik se Universiteti nuk është EMËR por FOLJE, është veprim edhe atë i vazhdueshëm sepse kur ne i shohim gjërat në këtë spektër, ne arrijmë të krijojmë një vetëdije identitare të vërtetë, e nëse ne i ikim historisë ajo largohet edhe më shumë, sepse jo rrallë herë na ka dëshmuar se identiteti mund hera-herës edhe të luhatet dhe nëse nuk insistojmë me fanatizëm e deri në vetëmohim t’i mbrojmë kauzat tona, simbolet, heronjtë, historinë, gjuhën dhe elementet dalluese që na karakterizojnë, atëherë nënvlerësojmë mundin, sakrificën dhe flijimin e pararendësve tanë. Mungesën do t’ia ndjejmë përherë më shumë, por, Profesorin e shohim çdo ditë jashtë përmes shtatores së tij ndërsa nga sot e tutje do ta shohim gjithandej edhe brenda me këndin e kujtesës, ai ndoshta nuk është fizikisht por vepra e tij jeton e frymon më fuqishëm se kurrë sepse Ai është i pranishëm përmes mospranisë.” – tha Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Rreth përmbajtjes së veprave, vlerësimet e tyre para auditorit i paraqitën recensentët Prof. Dr. Salajdin Salihi – Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Prof. Dr. Fatmir Sulejmani – ish-dekan i Fakultetit Filologjik të UT-së. Ky i fundit theksoi se përveç aktiviteteve të tij si veprimtar, Fadil Sulejmani e ka begatuar edhe fondin libror të dijeve shqiptare me një mori veprash të rëndësishme shkencore, të cilat i përurojmë sot, në këtë ambient të bukur të Universitetit tonë. “Veprimtaria shkencore e Fadil Sulejmanit është me shtrirje të gjerë në shumë fusha të albanologjisë, që nga fonetika, gramatika, leksikologjia e dialektologjia e gjer tek etnografia dhe folkloristika. Duke qenë të një rëndësie të veçantë, nuk ka dyshim se veprat e tij do të vazhdojnë të lexohen e të studiohen nga breza të tërë dijetarësh të së nesërmes, sepse ato hedhin dritë mbi tiparet etnopsikologjike të njeriut të kësaj ane, mbi të folmen e pasur dhe të pastudiuar më parë, mbi traditat, zakonet, doket, besëtytnitë e çka jo tjetër që, pa studimet e tij, do të gëlltiteshin pakthyeshëm nga dhëmbëzoret e kohës moderne” – deklaroi Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.

Ndërsa Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihi theksoi se veprat shkencore të profesor Fadil Sulejmanit do të receptohen nga lexuesit e sotëm dhe të nesërm, sepse na pasurojnë me dije të thella, veçanërisht në fushën e albanologjisë. “Falë veprave shkencore dhe shoqërore, ai la gjurmë të pashlyeshme në pllakat e historisë dhe i siguroi vetes një formë tjetër ekzistenciale. Një ekzistencë eterike. Një rrojtje nëpërmjet kujtesës kolektive.  Botimi i veprave të profesor Fadil Sulejmanit nga ana e Universitetit të Tetovës është përmbushje e një detyrimi moral dhe njëherësh është vlerësim i punës shkencore, akademike dhe shoqërore të profesorit. Kështu ua përcjellim brezave të ardhshëm kumtin se ata që ndërtojnë kështjella drite janë të pamort.” – vlerësoi Prof. Dr. Salajdin Salihi.

Po ashtu sot në këtë akademi u bë publik vendimi i Senatit të Universitetit të Tetovës, në mbledhjen e mbajtur më 19.11.2024 ku është vendosur t’i ndahet Çmimi Kombëtar “Fadil Sulejmani”, Prof. Dr. Haxhere Sulejmanit. Ky çmim i jepet znj. Haxhere Sulejmani, bashkëshortes së Rektorit Historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, për merita të veçanta dhe për kontributin e jashtëzakonshëm në themelimin dhe ngritjen e Universitetit të Tetovës.

 

Kjo akademi u përmbyll me një interpretim muzikor nga artistët, njëherit profesorë të Fakultetit të Arteve Selami Kolonja dhe Bajramali Idrizi të shoqëruar në piano nga Taulant Kolonja. Më pas në hapësirat e Fakultetit Filologjik u inaugurua Këndi i kujtesës i themeluesit dhe Rektorit të parë historik të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmani.  Sipas Kryetarit të Senatit të UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti pas titullit “Doctor Honoris Causa” në vitin 2012 dhe ngritjes së muzeut në Poroj në vitin 2013, pas konferencës shkencore mbi figurën e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit dhe revistës shkencore kushtuar Profesorit, pas ngritjes së shtatores, pas emërtimit të Universitetit të Tetovës “Fadil Sulejmani”, pas botimit te Monografisë (1994/5-2004/5) dhe pllakatit simbolik i cili u jepet figurave të shquara të kombit ku është e gravuar thënia e tij ikonike: “…ne duam lapsin dhe fletoren, nuk duam dhunë!”, pas krijimit të Fondacionit “Fadil Sulejmani” për Shkencë dhe Inovacion dhe pas Çmimit Kombëtar “Fadil Sulejmani”, me Këndin e kujtesës përfundon misioni i tij sepse gjithmonë në vegimet e tij e ka imagjinuar ribotimin e veprave të Fadil Sulejmanit mu kështu siç u promovuan sot në 116- vjetorin e Kongresit të Manastirit. Ai më tej theksoi: “Admirimi dhe respekti për figurën e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit është i lartë aq sa është e thellë dhimbja që nuk e kemi mes nesh për ta parë të ulur tek Këndi i tij, pra Këndi ynë i kujtesës”.

Po ashtu sot në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë si Rektor i Universitetit të Tetovës e më herët edhe në detyra të tjera si dekan i Fakultetit Juridik, si udhëheqës i Parlamentit Studentor dhe gjithë kontributit të tij që ka dhënë në Universitetin e Tetovës, Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti, Rektorit të UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli i ndau pllakatin me portretin e themeluesit dhe Rektorit historik Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Të njëjtin pllakat, ditë më parë ua ka ndarë edhe dekanëve të njësive të tjera akademike të Universitetit të Tetovës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights