Në Bruksel, takimi i parë i Komisionit të përbashkët serbo-kosovar për personat e zhdukur
Sot në Bruksel po mbahet takimi i parë inaugurues i Komisionit të përbashkët të Serbisë dhe Kosovës për personat e zhdukur.
Formimi i këtij komisioni bazohet në marrëveshjen e arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur.
Sipas Kryqit të Kuq, ende ka 1,612 persona të zhdukur nga lufta në Kosovë. Delegacionin kosovar në këtë takim do ta kryesojë Halil Cenaj, njoftoi kryetari i Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti. Ndërkohë, Serbia nuk ka bërë të ditur publikisht se kush do ta udhëheqë delegacionin e saj, raporton Radio Evropa e Lirë.
Sipas burimeve nga BE, në këtë takim nuk priten veprime konkrete, por më shumë do të ketë një karakter simbolik dhe ceremonik, duke qenë se ky është takimi i parë i këtij komisioni. Gjithashtu, fakti që Kosova ndodhet në periudhë fushate zgjedhore ndikon që ky të jetë një takim simbolik.
Burime nga Brukseli thonë se ky takim do të jetë një mundësi për palët që të prezantojnë prioritetet e tyre dhe të bien dakord për datat e takimeve të ardhshme, ku priten rezultate konkrete.
Kryetari i Komisionit Qeveritar të Kosovës për personat e zhdukur, Andin Hoti, shkroi në Facebook se plani i punës dhe takimet e ardhshme do të përcaktohen në Bruksel. Ai deklaroi se delegacioni kosovar do të paraqesë disa kërkesa kyçe, të cilat kryesisht lidhen me ndjekjen e zbatimit të Deklaratës për personat e zhdukur, “me fokus të veçantë në letrën që i kemi drejtuar Vuçiçit dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë”.