Në Evropë po ndërtohen shtëpi që përdorin hidrogjen në vend të energjisë elektrike

Mbretëria e Bashkuar ka arritur një pikë kyçe në tranzicionin drejt energjisë së pastër, duke hapur shtëpi që përdorin hidrogjen për ngrohje në vend të energjisë elektrike apo karburanteve të tjera. Deri tani, janë hapur tri shtëpi të tilla në pjesën lindore të Fife, Skoci. Këto shtëpi demonstrojnë se si hidrogjeni mund të përdoret si për ngrohje ashtu edhe për gatim. Projekti quhet H100 Fife, dhe plani është që në muajt e ardhshëm të hapen deri në 300 shtëpi të reja.

Ngrohja është një nga burimet më të mëdha të emetimeve të gazrave serrë, duke përbërë 22% të totalit të emetimeve të Mbretërisë së Bashkuar. Hidrogjeni konsiderohet një teknologji kyçe për dekarbonizimin e këtij sektori.

Kalimi në furnizim me hidrogjen kërkon pajisje të reja

Përdorimi i hidrogjenit në shtëpi kërkon pajisje të reja shtëpiake, duke përfshirë sobat dhe kaldajat. Megjithatë, për banorët, ndryshimet janë minimale pasi pajisjet funksionojnë njësoj, ndërsa pjesa më e madhe e transformimit ndodh në anën e furnizuesit të energjisë. Kjo e bën hidrogjenin një nga mënyrat më pak invazive për dekarbonizimin e ngrohjes së shtëpive.

Strategjia e BE-së për hidrogjenin

Strategjia e hidrogjenit e BE-së dhe plani REPowerEU përcaktojnë synimet për teknologjitë e hidrogjenit në Evropë. Deri në vitin 2030, synohet importi i 10 milionë tonëve dhe prodhimi i 10 milionë tonëve hidrogjen të rinovueshëm. Ndërsa deri në vitin 2050, hidrogjeni duhet të mbulojë 10% të nevojave energjetike të BE-së.

Shtëpia e parë me hidrogjen në Evropë u ndërtua në Italinë e Jugut në vitin 2022. Një ndërtesë studentore në Benevento përdor hidrogjenin jo vetëm për ngrohje, por edhe për prodhimin e energjisë elektrike të nevojshme për ndërtesën.

Holandë, disa projekte pilot janë në zhvillim, përfshirë:

  • 12 shtëpi në Lochem, të lidhura me rrjetin e hidrogjenit në vitin 2022
  • 33 shtëpi në Wagenborgen, që kaluan në ngrohje me hidrogjen në 2023
  • 80 deri në 100 shtëpi të reja në Hoogeveen, që do të lidhen me rrjetin e hidrogjenit

Helsinki, po ndërtohet qendra hidrogjenike 3H2 Helsinki, e cila do të prodhojë rreth tre megavat hidrogjen të gjelbër në vit. Ky hidrogjen do të përdoret si karburant për kamionët, ndërsa nxehtësia e mbetur nga prodhimi do të shfrytëzohet për ngrohjen e shtëpive lokale.

Jo i gjithë hidrogjeni është i qëndrueshëm

Hidrogjeni prodhohet përmes elektrolizës, një proces që ndan hidrogjenin nga oksigjeni në ujë. Megjithatë, nëse energjia e përdorur në këtë proces nuk është e rinovueshme, atëherë nuk ka përfitime për mjedisin.

Aktualisht, hidrogjeni përbën vetëm 2% të miksit energjetik të BE-së, dhe pothuajse gjithë sasia e tij prodhohet nga lëndë djegëse fosile. Parlamenti Evropian vlerëson se prodhimi aktual i hidrogjenit gjeneron nga 70 deri në 100 milionë tonë CO₂ çdo vit.

Për të qenë i qëndrueshëm, hidrogjeni duhet të prodhohet përmes energjisë së rinovueshme – i njohur si hidrogjeni i gjelbër. Megjithatë, sot hidrogjeni i gjelbër përbën më pak se 1% të totalit të prodhimit të hidrogjenit.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, për të prodhuar të gjithë hidrogjenin në mënyrë të qëndrueshme, do të duheshin 3,000 teravat orë (TWh) energji të rinovueshme – afërsisht e barabartë me kërkesën totale për energji elektrike në të gjithë Evropën. Për projektin H100 Fife, hidrogjeni prodhohet duke përdorur energji të rinovueshme nga një park me erë detar lokal.

Ekspertët: Hidrogjeni për ngrohje është më pak efikas dhe më i shtrenjtë

„Përdorimi i hidrogjenit për ngrohje mund të duket tërheqës në shikim të parë“, thotë Jan Rosenow, bashkëautor i një studimi mbi këtë çështje. „Megjithatë, të gjitha hulumtimet e pavarura arrijnë në të njëjtin përfundim: ngrohja me hidrogjen është shumë më pak efikase dhe më e shtrenjtë sesa alternativat si pompat e nxehtësisë, ngrohja qendrore dhe energjia diellore“.

Një raport i Institutit për Ekonominë e Energjisë dhe Analizën Financiare (IEEFA), i publikuar në janar, ka theksuar se djegia e hidrogjenit përfaqëson një rrezik për shëndetin dhe sigurinë e banorëve dhe është një mënyrë joefektive për të ulur emetimet e CO₂.

„Jo vetëm që djegia e hidrogjenit në shtëpi paraqet një rrezik për shëndetin dhe sigurinë, por gjithashtu do të vonojë elektrifikimin, duke çuar në përdorimin e zgjatur të gazit nëpër shtëpi“, shprehet Suzanne Mattei, analiste e politikave energjetike në IEEFA dhe bashkëautore e raportit.

„Planet për përdorimin e hidrogjenit në ndërtesat rezidenciale gjithashtu injorojnë sfidat infrastrukturore dhe konkurrencën e tregut, duke ngritur pikëpyetje mbi realizueshmërinë e kësaj teknologjie në praktikë“, përfundon ajo.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights