Në Fakultetin Pedagogjik të UT-së u mbajt punëtoria “Dhuna dhe diskriminimi në shkolla”
Në Fakultetin Pedagogjik të UT-së u mbajt punëtoria “Dhuna dhe diskriminimi në shkolla”
Në kuadër të projektit “Promovimi i një mjedisi të sigurt shkollor”, Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, realizoi sot punëtorinë bazike me temë “Dhuna dhe diskriminimi në shkolla”. Punëtoria u udhëhoq nga ekipi i profesorëve: Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, Prof. Dr. Besa Havziu-Ismaili, Prof. Dr. Ardita Ceka, Prof. Dr. Makfirete Ameti dhe Doc. Dr. Gëzim Xhambazi.
Në këtë aktivitet morën pjesë studentë nga të gjithë programet studimore, si dhe profesorë. Qëllimet kryesore të punëtorisë ishin që pjesëmarrësit të informohen mbi format e ndryshme të dhunës dhe diskriminimit, të kuptohet ndikimi i tyre, dhe të zhvillohen aftësitë për identifikimin e strategjive për parandalimin e këtyre dukurive. Për më tepër, një aspekt i rëndësishëm ishte nxitja e empatisë dhe sjelljes etike për të reduktuar dhunën dhe diskriminimin, duke përpiluar gjithashtu një plan veprimi konkret për adresimin e këtyre çështjeve. Gjatë punëtorisë, studentët shfaqën një nivel të lartë kreativiteti dhe përgatitjeje profesionale. Ata kontribuuan me ide inovative dhe treguan aftësi të shkëlqyera bashkëpunimi përmes punës në grupe. Me anë të simulimeve dhe luajtjes së roleve, studentët analizuan dhe trajtuan situata të ndryshme të dhunës dhe diskriminimit, duke ofruar zgjidhje përmes strategjive të përgatitura nga vetë ata. Përvoja e tyre personale si ish-nxënës, si dhe shembujt nga aktualiteti, ndihmuan në thellimin e diskutimeve dhe në hartimin e një plani konkret për parandalimin dhe zvogëlimin e dhunës në shkolla. Në përfundim të punëtorisë u shpërndanë edhe certifikata për pjesëmarrje.
Ky projekt trevjeçar do të vazhdojë me punëtorinë e avancuar, i cili është planifikuar të realizohet gjatë muajit shkurt.
Ky aktivitet implementohet nga Qendra e Maqedonisë për Edukim Qytetar (QMEQ), në kuadër të projektit “Promovimi i një mjedisi të sigurt shkollor”. Projekti “Promovimi i një mjedisi të sigurt shkollor”, zbatohet nga Koalicioni i Organizatave Rinore SEGA në partneritet me Qendrën e Maqedonisë për Edukim Qytetar, Ambasada e Parë e Fëmijëve në Botë MEGJASHI dhe SMART AP – Laboratori për Inovacione Sociale, me mbështetje nga Fondacioni i Fëmijëve Pestalozzi.