Në maj të vitit të ardhshëm do të lëshohet në përdorim gjysma e parë e autostradës Kërçovë-Ohër, paralajmëron Mickoski
Potencoi se deri në fund të vitit 2026, siç u premtua në fushatë, kjo autostradë të jetë plotësisht funksionale.
Ka progres në realizimin e autostradës nga Kërçova deri në Ohër, po punohet çdo ditë dhe pres gjysmën e parë të autostradës nga fshati Arbinovë deri në Ohër, me përjashtim të një pjese të vogël tek fshati Botun të vihet në përdorim deri në maj të vitit të ardhshëm, theksoi sot kryeministri Hristian Mickoski.
Potencoi se deri në fund të vitit 2026, siç u premtua në fushatë, kjo autostradë të jetë plotësisht funksionale.
“Trashëguam një situatë kataklizme me projektet e infrastrukturës. Më në fund këto dy kilometra të ‘famshme’ të autostradës për në Bllacë kanë përfunduar dhe së shpejti do të vihet në përdorim. Kanë mbetur rreth 10 kilometra për t’u përfunduar. Ne kemi një plan të qartë se si ta zbatojmë atë përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore. Ai projekt së shpejti do të fillojë të realizohet”, tha Mickoski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve në konferencën e sotme për media në Qeveri me rastin e 100 ditëve punë të qeverisë së re.
Theksoi se emra të njohur të cilët janë të afërt me BDI-në ndodhen në trasenë e këtyre 10 kilometrave të autostradës.
“Por, është ajo që është. Sfida ka dhe ne do t’i zgjidhim ato. Nga ajo gjendje kataklizme që trashëguam po ndodhin ndryshime të mëdha. Është lënë situatë e tmerrshme edhe me projektet që kanë të bëjnë me korridoret 8 dhe 10 për të cilat përveç avansit prej 300 milionë euro nuk pati asnjë progres…”, potencoi Mickoski.
Paralajmëroi se po përfundon ndërtimi i autostradës ekspres Çatal-Dlaboçicë-Kriva Pallankë e cila është pjesë e korridorit 8 që duhet të lidhë Kumanovën me vendkalimin kufitar Deve Bair me Bullgarinë. Po marrin fund, siç tha edhe punimet në autostradën Gradsko-Rosoman-Farish dhe janë në përfundim dhe pritet që deri në fund të vitit të lëshohet në përdorim.