Negociatat Kinë-BE për tarifat e automjeteve elektrike kanë përfunduar pa rezultate
Ministria e Jashtme e Kinës tha sot se negociatat në Bruksel për tarifat e vendosura nga BE për automjetet elektrike të importuara nga Kina përfunduan në “mosmarrëveshje të mëdha”.
“Negociatorët nuk arritën një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, megjithëse kanë bërë përparim të dukshëm në disa fusha”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze.
Raundi tjetër i negociatave do të mbahet në Kinë dhe që nga 20 shtatori janë zhvilluar tetë raunde negociatash në Bruksel.
Vendet anëtare të BE-së votuan dje për vendosjen e tarifave për makinat elektrike të importuara nga Kina, pavarësisht kundërshtimit të gjermanëve që i frikësohen një lufte tregtare me Pekinin.
Komisioni Evropian ka vendosur një taksë prej 10 për qind, e cila tashmë është në fuqi, si dhe një shtesë deri në 35 për qind për automjetet me bateri të prodhimit kinez, e cila do të hyjë në fuqi në fund të muajit.
Pekini e ka kritikuar vendosjen e tarifave si një “praktikë të padrejtë dhe të paarsyeshme proteksioniste” dhe tashmë është përgjigjur duke vendosur kundërtarifa për mishin e derrit, produktet e qumështit dhe pijet alkoolike me bazë verën të importuara nga BE, përfshirë konjakun.