Nëntë kompani në garë për ndërtimin e autostradës Kërçovë–Bukojçan

Janë dorëzuar ofertat për ndërtimin e autostradës E-65, në aksin Kërçovë–Bukojçan, njoftuan nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRS).

Sipas njoftimit, hapja e ofertave është bërë më 8 tetor 2025, ndërsa në vijim do të pasojë procesi i verifikimit të dokumenteve dhe propozimi për përzgjedhjen e kompanisë ndërtuese, i cili më pas duhet të miratohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
NPRS pret që të gjitha procedurat të përfundojnë deri në shkurt të vitit të ardhshëm, pas së cilës do të nënshkruhet kontrata me ofertuesin më të favorshëm.

Në total, nëntë kompani janë ftuar nga NPRS më 1 gusht 2025 për të marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes së ndërtuesit të kësaj pjese të autostradës, me gjatësi prej 11,5 kilometrash, pjesë e Korridorit 8. Kompanitë kishin afat për dorëzimin e ofertave financiare deri më 30 shtator.

“Për zgjedhjen e kompanisë më të përshtatshme u shpall tenderi për parakualifikim, në përputhje me procedurat e BERZH-it. Pas përfundimit të fazës së parakualifikimit, nëntë kompani u ftuar të dorëzojnë ofertat e tyre, të cilat tani janë në proces vlerësimi të detajuar,” – njoftuan nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.

Projekti pritet të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen dhe zhvillimin ekonomik

Ndërtimi i autostradës Kërçovë–Bukojçan, si pjesë e Korridorit Evropian 8, pritet të përmirësojë ndjeshëm mobilitetin, sigurinë rrugore dhe qarkullimin tregtar, si dhe të shkurtojë kohën e udhëtimit ndërmjet qyteteve.

Pjesa ekzistuese e rrugës shtetërore A2 nga Gostivari në Kërçovë është projektuar më shumë se 50 vite më parë dhe përbëhet nga një korsi në secilin drejtim, me një korsi shtesë për automjete të ngadalta në disa segmente malore. Për shkak të rritjes së trafikut dhe kushteve të vjetruara, kjo rrugë do të zëvendësohet me autostradë moderne dhe të sigurt.


Vlera e projektit dhe karakteristikat teknike

Sipas të dhënave zyrtare, vlera totale e projektit llogaritet në 132,7 milionë euro, prej të cilave:

  • 110 milionë euro janë kredi nga BERZH, dhe

  • 19,8 milionë euro janë grant investues nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Autostrada e re do të ketë dy karrexhata me nga dy korsi (3.5 metra secila), me shpejtësi maksimale 100 km/orë, dhe do të përfshijë nyje lidhëse, ura, tunele, kanale kullimi, mure mbajtëse dhe elementë mbrojtës.

Kjo pjesë do të lidhet me trason Gostivar–Bukojçan (30,1 km), e cila tashmë është në ndërtim nga konsorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka”.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT