Nga 1 janari do të hiqen kontrollimet në kufijtë tokësorë të Bullgarisë dhe Rumanisë drejt Zonës Shengen

Këshilli për Drejtësi dhe Punë të Brendshme i BE-së sot mori një vendim për heqjen e kontrollimeve të pasagjerëve në kufijtë tokësorë të Bullgarisë dhe Rumanisë me shtetet e Zonës Shengen nga 1 janari 2025.

– Ky është një moment historik. Bullgaria dhe Rumania përfundimisht bëhen anëtare të plota të Zonës Shengen, deklaroi ministri i Brendshëm i Hungarisë, Shandor Pinter.

Sipas tij, heqja e kontrollimeve të pasagjerëve në kufijtë tokësorë ndërmjet këtyre dy shteteve dhe anëtarëve të tjerë të Zonës Shengen ishte një nga prioritetet kryesore të presidencës hungareze të BE-së.

– Sot, ne e bëjmë këtë realitet. Ky hap do të jetë i dobishëm jo vetëm për qytetarët bullgarë dhe rumunë, por edhe për BE-në si tërësi, shtoi Pinter.

Bullgaria dhe Rumania u pranuan në Zonën Shengen më 31 mars të këtij viti, por në atë moment u hoqën vetëm kontrollimet në kalimet e brendshme ajrore dhe detare, ndërsa kontrollimet e individëve që kalonin kufijtë tokësorë ndërmjet këtyre dy shteteve dhe shteteve të tjera të Zonës Shengen mbetën në fuqi.

Në vendimin e Këshillit për Drejtësi dhe Punë të Brendshme të BE-së për heqjen e plotë të kontrolleve të kufijve tokësorë, theksohet se që nga anëtarësimi i tyre në Bashkimin Evropian, Bullgaria dhe Rumania kanë zbatuar pjesë të legjislacionit të Zonës Shengen, përfshirë ato që lidhen me kontrollin e kufijve të jashtëm, bashkëpunimin policor dhe përdorimin e sistemit informacion të Shengenit.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights