NGA INFERMIERIA | Rikuperimi i lojtarëve të dëmtuar në progres
Lajme pozitive nga infermieria e Shkëndijës, teksa skuadra po përgatitet për ndeshjen e radhës ndaj Pelisterit. Besart Ibraimi, Valon Ahmedi dhe Fiton Ademi dje janë bashkuar me grupin në stërvitje, duke bërë hapa të rëndësishëm drejt rikuperimit të plotë.
Pavarësisht përfshirjes së tyre në stërvitje, lojtarët nuk janë angazhuar me intensitet maksimal, pasi stafi teknik dhe ai mjekësor po tregojnë kujdes të shtuar për rikthimin e tyre të sigurt. Ngarkesat e stërvitjes po dozohen gradualisht, me qëllim që të shmanget çdo rrezik përkeqësimi.
Lojtarët pritet të jenë në kombinim për përballjen e së dielës ndaj Pelisterit në Manastir (ora 17:00), në varësi të mënyrës se si do të vijojë progresi i rikuperimit të tyre gjatë ditëve të mbetura. Vendimi përfundimtar për aktivizimin e tyre do të merret nga stafi teknik në bashkëpunim me ekipin mjekësor, pas vlerësimit të situatës në seancat e ardhshme stërvitore.
Shkëndija vazhdon përgatitjet me fokus të plotë për këtë takim, duke mirëpritur rikthimin gradual të lojtarëve kyç në skuadër.