“Një copëz arti” nga Tetova, në Tiranë
“Një copëz arti” erdhi këtë të premte nga Tetova, në Tiranë. Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, hapi dyert e institucionit për artistët e vegjël të shkollës së mesme komunale të tekstilit në Tetovë. Ata shpalosën talentin përmes krijimtarivetë frymëzuara nga tradita. 63 punimet e ekspozuara në Institucionin e Presidencës përcollën një larmi rrymash artistike avangardë në tekstil, mobilim dhe interior me elementin e përbashkët: shqiptarinë.
Presidenti Begaj, në urimin e mirëseardhjes së tyre, i cilësoi si misionarë në vijimësinë e ruajtjes së shpirtit të kombit, promovues të vlerave kulturore dhe edukative.
“Shkolla juaj profesionale ka një traditë disavjeçare në dizajnin e veshjeve të ndryshme, arte të aplikuara të interiorit, mobilieve dhe prodhimeve artizanale e ushqimore, dhe ky është një model që meriton promovim mbarëshqiptar, mbarëkombëtar. Sot kam ftuar, gjithashtu, nxënës të të njëjtit drejtim si ju nga Liceu Artistik i Tiranës, në mënyrë që të dyja shkollat të ndërtojnë ura bashkëpunimi, që kanë si bazë zhvillimin e talenteve rinore në art dhe tekstil.
Kreu i Shtetit këshilloi artistët e vegjël të vijojnë me ruajtjen dhe promovimin e traditës: “Unë ju inkurajoj ju, të dashur nxënës, që fantazia juaj artistike të mos braktisë asnjëherë elementët kombëtarë dhe shpirtin artistik të shqiptarëve të derdhur ndër shekuj në veshjet tona tradicionale. Ato janë veshje të identitetit tonë kombëtar dhe kulturor, të trashëguar e pasuruar brez pas brezi”.
Duke iu referuar Xhubletës dhe Kërcimit të Tropojës të mbrojtur nga UNESCO, Presidenti Begaj, u shpreh se “Duhet të vazhdojmë të punojmë fort që edhe veshjet tona mijëravjeçare të trevave të tjera të shqiptarisë të shndërrohen në pasuri të tëgjithë njerëzimit”.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili vlerësoi nismën e Presidentit tëRepublikës në shërbim të shqiptarisë: “Me këtë veprim, Presidenti edhe në vepër tregon përkushtimin e Tij ndaj Kushtetutës së Shqipërisë për të qenë President i të gjithëshqiptarëve dhe jashtë trojeve të tjera etnike”.
Nxënësit dhe mësuesit nga Tetova shkëmbyen ide me artistët dhe profesorët e Liceut Artistik të Tiranës për krijimin e mundësisë së institucionalizimit të bashkimit të të rinjve në trevat shqiptare.