Pasi u mbajt 4 orë në SPAK, deputeti socialist Plarent Ndreca deklaron: Mos u nxitoni, do flas në momentin e duhur!
Deputeti i PS, Plarent Ndreca qëndroi 4 orë në SPAK. Pas daljes nuk dha detaje, por deklaroi për gazetarët se “do të shprehet në momentin e duhur”. Ndreca tha se nuk ishte thirrur nga organi i akuzës, por ishte paraqitur vetë, teksa pranoi se më herët i është komunikuar akuza. Ai nuk kishte koment lidhur me akuzën për shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike, ku tha se një qëndrim konkret do ta ketë në momentin e duhur.
“Dhashë deklarime në SPAK në vijim të hetimeve të nisura nga ana e Prokurorisë. Ishte kërkesa ime për të dhënë deklarime. Isha në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Jam njohur me akuzën. Do të shprehem në momentin e duhur. Mos u nxitoni!”, deklaroi Ndreca pas daljes nga SPAK.
Deputeti socialist akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.