Për vëllazëri s’ka kufij, hyrja falas me Shkëndijën e Haraçinës
E mërkura sjell ndeshjen e Kupës ndërmjet dy Shkëndijave, derisa duke ftuar sa më shumë spektatorë dhe për nder të tifozerisë mysafire, kryesia ka vendosur hyrja të jetë pa pagesë.
KF Shkëndija bën thirrje për një atmosferë vëllazërore dhe bashkimi para ndeshjes së Kupës së Maqedonisë, që do të zhvillohet të mërkurën në Tetovë, ku do të përballemi me Shkëndijën e Haraçinës.
Si klub, dëshirojmë të inkurajojmë vlerat e respektit dhe solidaritetit mes tifozëve të dy klubeve. Jemi të lumtur që shorti na dha mundësinë pas një kohe të gjatë dy Shkëndijat të luajnë mes veti në një ndeshje zyrtare, derisa kjo është mundësi e shkëlqyeshme për një festë futbolli ku rivalitet sportiv do të sjellin vetëm 90-të minutat në terren. Në këtë frymë, kemi vendosur të mirëpresim publikun mysafir dhe madje i ftojmë të na bashkohen në këtë ndeshje të rëndësishme. Le ta bëjmë bashkarisht këtë ditë festë sportive!
Për të krijuar një klimë të ngrohtë dhe miqësore, hyrja në stadium do të jetë falas për të gjithë. Ftojmë të gjithë dashamirët e futbollit të jenë pjesë e këtij momenti të veçantë, duke treguar se për vëllazëri nuk ka kufij.