Policia e Kosovës mbyll katër qendra ilegale në veri, arrestohen zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale

Policia e Kosovës ka realizuar sot një aksion në veri të Mitrovicës, ku ka mbyllur katër qendra ilegale, të lidhura me veprat penale të cenimit të përcaktimit të votuesve. Aksioni u ndërmor pas arrestimit të katër zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Zubin Potok, një ditë para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Zyrtarët e dyshuar janë akuzuar për shfrytëzimin e ndihmave sociale për të kërcënuar qytetarët dhe për t’i detyruar ata të votojnë për një parti të caktuar politike.
Zëvendësdrejtori i Policisë, Veton Elshani, ka konfirmuar për RTKlive se këta zyrtarë kanë përdorur kërcënime telefonike për të manipuluar qytetarët, duke i kushtëzuar me ndihma sociale që të mbështesin një parti politike në zgjedhje. Prokuroria Themelore në Mitrovicë është njoftuar për hetimet dhe ka miratuar kërkesën e policisë për të realizuar kontrolle në këto qendra. Pas marrjes së urdhrit të gjykatës, janë realizuar kontrollet për të zbuluar provat e nevojshme.
Policia do të vijojë hetimet dhe pas përfundimit të kontrollit do të njoftojë prokurorinë për gjetjet, që mund të çojnë në veprime të mëtejshme ligjore për këtë aktivitet të kundërligjshëm.