Prag ndeshja me Gostivarin, flet trajneri Qatip Osmani

Më në fund pritjes po i vie fundi. Pas më shumë se dy muaj rikthehemi në aksion. Me ndeshjen ndaj Gostivarit, edhe zyrtarisht startojmë me ndeshjet kampionale dhe njëherit garën për titull…
Gostivari është kundërshtari ynë i parë në ndeshjet e stinorit pranveror. Këtë ndeshje do ta zhvillojmë në Shkup, ndërsa para këtij takimi shumë të rëndësishëm, ka folur trajneri Qatip Osmani.
“Ndeshje derbi që në start. E kemi pritur këtë ndeshje, jemi përgatitur mirë dhe mendoj se të gatshëm e presim Gostivarin. Ne jemi kampion dhe si të tillë nuk dorëzohemi, pavarësisht se luajm në terren mysafir besoj tek rezultati pozitiv.”

Osmani foli edhe për fazën e përgatitjeve, që e realizuëm në dy faza:
“Jam i kënaqur me fazën përgatitore, të cilën e zhvilluam në dy pjesë. Fillimisht fazën e parë në Strugë, aty ku më së shumti vëmendje i dhamë punës fizike, ndërsa në fazën e dytë në Antalia të Turqisë, më shumë akcent i dhamë edhe pjesës tekniko taktike, ku besoj se në kampionat do të jetë më e mira. Për këtë gjë besoj se kanë kontribuar edhe ndeshjet kontrolluese që i zhvilluam në Turqi.”

Ndeshjet kontrolluese:
“Kur jemi tek ndeshjet kontrolluese, mund të them se në ato ndeshje ekipi u tregua me dy fytyra. Në ndeshjet në Turqi kishte momente kur loja në mbrojtje ishte në nivelin e duhur, por problemi shfaqej gjatë realizimit. Pikërisht kjo na ka brengosur, ndaj edhe deri në stërvitjen e djeshme jemi munduar të pëmirësojmë këtë element, pasi është shumë i nevojshëm për vazhdimin e kampionatit, aty ku skuadra do të duhet të shënojë dhe të shpresoj për titullin kampion.”

Përforcimet e Struga Trim për stinorin pranveror:
“Me përforcimet e këtij afati kalimtar mund të them se jemi të kënaqur, për më tepër që në këtë pjesë të dytë të sezonit, do të jemi më të fortë edhe me dy kapitenët, Bunjamin Shabani dhe Besmir Bojku. Që të dy treguan se janë shumë të rëndësishëm për skuadrën edhe gjatë ndeshjeve kontrolluese, derisa Maude ekipit tonë iu bashkua fare në fund, mirëpo mund të them se bëhet fjalë për një futbollistë shumë cilësor, i cili shumë shpejtë do të vie në shprehje. Me kualitetet që posedon dhe CV-në, besoj e do na ndihmoj shumë si skuadër.”

15 ndeshje, 45 pikë në lojë deri në fund:
“15 ndeshje janë deri në fund të kampionatit, 45 pikë në lojë. Kemi një fond të mirë të futbollistëve në skuadër, ndaj mendoj se pikërisht kjo do të jetë përparësia jonë në këto ndeshje. Për tu shpallur kampiona varet nga shumë faktorë, por mendoj se puna jonë deri tash është reale, ashtu që shpresojmë për një kampionat të suksesshëm. Mendoj se ekipi ka punaur mirë, ka zhvilluar edhe disa ndeshje të mira, atmosfera në klub është në nivelin e duhur, që i nevojitet një skuadre kampione, ashtu që të gjitha parakushtet për të kapur kreun e tabelës janë, mirëpo siç e theksova edhe më lartë, se shumë faktorë varen për një skuadër, për rezultatet që do na dërgonin në kreun e tabelës së klasifikimit.“