Pritet që këta pesë persona të bëhen trilionerë në dekadën e ardhshme

Harrojini miliarderët. Trilionerët e parë janë në rrugën e duhur. Pritet që pesë persona të grumbullojnë të paktën një trilion dollarë (një mijë miliardë) pasuri në dekadën e ardhshme nëse vazhdojnë trendet aktuale, sipas raportit të përvitshëm për pabarazitë të Oxfam, publikuar të dielën.

Kreu i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, momentalisht njeriu më i pasur në botë me një pasuri neto prej më shumë se 430 miliardë dollarë, do të bëhet trilioner për diçka më pak se pesë vjet.

Shumë shpejt do t’i bashkohen themeluesit e Amazon dhe Oracle, Jeff Bezos dhe Larry Ellison, drejtorët ekzekutivë të Meta-s, Mark Zuckerberg, dhe drejtorët ekzekutivë të LVMH, Bernard Arnault dhe familja e tij.

Raporti i Oxfam, i bazuar në të dhënat e mbledhura nga Forbes, është kohëzuar që të përkojë me fillimin e takimit të përvitshëm të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, një mbledhje elitare e disa nga njerëzit dhe liderët më të pasur në botë. Publikimi i tij vjen gjithashtu një ditë para inaugurimit të miliarderit të sapozgjedhur, Donald Trump.

Viti 2024 ishte shumë fitimprurës për individët dhe familjet më të pasura në botë, pjesërisht nën ndikimin e tregut të rritur të aksioneve amerikane, zbulohet nga Oxfam. Pasuria e tyre neto u rrit kaq shpejt saqë Oxfam rishikoi vlerësimin e saj nga viti i kaluar, sipas të cilit vetëm një miliarder pritej të shpallej trilioner në dekadën e ardhshme.

“Është një shumë e pafund”, tha Rebecca Ridel, menaxhere e lartë për politikë në Oxfam America, për trilionët e dollarëve. “Kjo pabarazi ekstreme nuk është arsye për të festuar.”

Numri i miliarderëve u rrit për më shumë se 200 dhe arriti në gati 2,770 njerëz vitin e kaluar. Pasuria e tyre u rrit për 2,1 trilionë dollarë – tre herë më shpejt se vitin e kaluar – duke arritur një total prej 15 trilionë dollarë. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, ku jetojnë 816 miliarderë, vlera neto e këtij grupi u rrit për 1,4 trilionë dollarë.

Për më tepër, nëse dikush nga 10 njerëzit më të pasur humbet 99 për qind të pasurisë së tij, ai do të mbetet ende miliarder, zbulohet nga Oxfam.

Ndërkohë, numri i njerëzve që jetojnë në varfëri është afërsisht po aq sa në vitin 1990, thuhet në raport, duke cituar të dhëna nga Banka Botërore.

Raporti i këtij viti i Oxfam, i titulluar “Takers not Makers”, gjithashtu tregon se më shumë se një e treta e pasurisë së miliarderëve vjen nga trashëgimia. Në vitin 2023, më shumë miliarderë e fituan pasurinë e tyre përmes trashëgimisë sesa përmes sipërmarrjes së tyre. Për më tepër, të gjithë 17 miliarderët më të rinj se 30 vjeç janë të pasur vetëm sepse janë lindur në familje të tilla.

Ky transfer i pasurisë është ndihmuar nga fakti se dy të tretat e vendeve nuk taksojnë trashëgiminë e pasurisë tek pasardhësit e drejtpërdrejtë, tha Ridel. Dhe në Shtetet e Bashkuara, taksa mbi pasurinë është eliminuar nga uljet e taksave dhe strategjitë për shmangien e tatimeve.

“Pa kontroll, shumë shpejt do të shohim transferimin më të madh të pasurisë ndër-gjeneruese në historinë e njerëzimit – tek pasuria e fituar më lehtë dhe e taksuar me vështirësi, përveç nëse bëjmë diçka”, tha ajo, duke shtuar se Oxfam i bën thirrje qeverive të sigurojnë që të pasurit dhe korporatat të paguajnë një pjesë të drejtë tatimore.

Edhe të pasurit po ndikojnë gjithnjë e më shumë në politikë. Rasti për këtë, thotë Oxfam, është administrata e re e Trump-it. Ajo punëson pothuajse një duzinë njerëz që vetë ose me bashkëshortët e tyre vlejnë të paktën një miliard dollarë, duke e bërë atë një nga më të pasurit në histori.

Musk, i cili investoi më shumë se 260 milionë dollarë në fushatën e Trump-it në vitin 2024, shërben si këshilltar i shquar i presidentit të sapozgjedhur dhe drejton atë që quhet Departamenti i Efikasitetit Qeveritar (DOGE).

“Musk dhe ndikimi i tij i madh në politikë janë vërtet simbolike për pushtetin e pakontrolluar të miliarderëve që e përcaktojnë sistemin tonë ekonomik dhe politik,” paralajmëron Ridel.

Në fjalimin e tij të lamtumirës nga Dhomë Oval, javën e kaluar, presidenti në ikje Joe Biden paralajmëroi për përqendrimin e pushtetit mes “shumë pak njerëzve ultra të pasur”.

“Sot, në Amerikë po krijohet një oligarhi e pasurisë ekstreme, pushtetit dhe ndikimit që literalmente kërcënon gjithë demokracinë tonë, të drejtat dhe liritë tona themelore dhe një mjedis të drejtë ku të gjithë mund të përparojnë,” tha ai.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights