PROMOVIMI I LIBRIT “ME ARBËRESHËT E KALABRISË” NGA PROF. DR. MUSTAFA IBRAHIMI NË HORA E ARBËRESHËVE, PALERMO

Hora e Arbëreshëve, Palermo, 28 Nëntor 2024 – Në kuadër të manifestimeve për Festën e Flamurit, prof. dr. Mustafa Ibrahimi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, realizoi promovimin e librit të tij “Me Arbëreshët e Kalabrisë”. Ngjarja u organizua në bashkëpunim me Bashkinë Hora e Arbëreshëve nën patronazhin e kryetarit Rosario Petta.
Gjatë fjalës së tij, prof. Ibrahimi shpjegoi rëndësinë e librit, i cili përmbledh takimet dhe bashkëpunimet e tij me komunitetin arbëresh që nga viti 2006, të dokumentuara me kujdes përmes 540 fotografive. Ai shpalli se libri i tij i ardhshëm do të jetë i fokusuar në Arbëreshët e Sicilisë, duke vijuar rrugëtimin e tij në ruajtjen dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore arbëreshe.
Promovimi u drejtua nga At Jani Pekoraro, famullitari i Kishës në Hora e Arbëreshëve, ndërsa poetët dhe studiuesit arbëreshë dhanë një kontribut të veçantë për këtë manifestim. Në mesin e tyre, Zef Skiro di Maxho, poeti dhe dramaturgu i njohur arbëresh, u nderua për krijimtarinë e tij poetike. Prof. dr. Vebi Bexheti prezantoi analizën e tij mbi veprën letrare të Maxhos në librin “Mozaiku poetik i Zef Skiro di Maxhos”.
Manifestimi gjithashtu përfshiu promovimin e librit për veshjet tradicionale shqiptare nga Zejna Halimi dhe një program kulturor të pasur që evidentoi ruajtjen e traditave dhe identitetit arbëresh përmes veshjeve dhe interpretimeve artistike.
Me prezencën e intelektualëve dhe autoriteteve lokale, si dhe atmosferën festive që përshkoi gjithë aktivitetin, promovimi dhe manifestimi për Ditën e Flamurit shërbyen si një urë lidhëse për ruajtjen e lidhjeve historike dhe kulturore mes shqiptarëve dhe arbëreshëve.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights