Propozimi i plotësuar i buxhetit për vitin 2025 para deputetëve
Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pritet të fillojë sot debati për Propozimin e plotësuar të buxhetit për vitin 2025, si pjesë e rendit të ditës të seancës së 22-të.
Debati për amendamentet për Propozimin e buxhetit përfundoi më 29 nëntor, dhe në Propozimin e plotësuar të buxhetit janë përfshirë amendamentet e pranuara dhe ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme. Sipas Rregullores për punën e Kuvendit, debati për Propozimin e plotësuar të buxhetit do të zgjasë jo më shumë se pesë ditë. Deputetët mund të flasin disa herë gjatë debatit, duke pasur maksimum 20 minuta për çdo fjalim, ndërsa koordinatori i grupeve të deputetëve mund të flasë gjithsej 30 minuta. Përfaqësuesi i Qeverisë mund të flasë disa herë, por jo më shumë se 30 minuta gjithsej.
Me Propozimin e buxhetit për vitin 2025 parashikohet një rritje e ekonomisë prej 3,7 për qind. Sipas Qeverisë, buxheti është zhvillimor, me theks te investimet kapitale, projektet për mbështetje të komunave dhe stimulimin e biznesit.
Të ardhurat totale janë planifikuar në nivel prej 358,8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet janë parashikuar në 400,2 miliardë denarë. Deficiti buxhetor është parashikuar të jetë në shumë absolute prej 41.350 milionë denarë, që përbën 4 për qind të PBB të planifikuar.
Në lidhje me inflacionin, pritet të ulet në 2,2 për qind si rezultat i stabilizimit të çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe energjisë në tregun ndërkombëtar. Parashikimet për rritjen e eksporteve janë 4,2 për qind, ndërsa për importet 4,4 për qind.
Për investime kapitale janë planifikuar 50,5 miliardë denarë, ndërsa për shpenzime aktuale janë planifikuar 349,6 miliardë denarë, që përfshijnë pagesat e pagave, pensioneve, të drejtat sociale, subvencionet për bujqësinë, mbështetje për bizneset të vogla dhe të mesme dhe ndihmë për kategoritë vulnerabël të qytetarëve dhe biznesit.
Shpenzimet për paga janë planifikuar në nivel prej 48,1 miliardë denarë, me një rritje prej 8 për qind, ndërsa për mallra dhe shërbime janë planifikuar 26,2 miliardë denarë, që paraqet një ulje prej 0,5 për qind në strukturën e shpenzimeve totale. Për pagesën e pensioneve janë parashikuar 105,5 miliardë denarë, që do të sigurojnë mjete për rritjen e paralajmëruar të pensioneve prej 2.500 denarë nga muaji mars i vitit të ardhshëm. Për kompensimin e shërbimeve sociale janë planifikuar rreth 14,5 miliardë denarë, për ndihmën financiare në rast të papunësisë 1,6 miliardë denarë dhe për realizimin e politikave dhe masave aktive të punësimit 2,3 miliardë denarë.
Më shumë mjete janë siguruar për shëndetësinë, pra 52,5 miliardë denarë, që përbën një rritje prej 10,7 për qind. Mbështetje për bujqësinë është parashikuar në nivel prej 8 miliardë denarë, ndërsa transfertat për njësitë e pushtetit lokal janë planifikuar në nivel prej 33,2 miliardë denarë, që është për 2,5 miliardë denarë më shumë krahasuar me vitin e kaluar.