Protesta masive në Stamboll dhe qytete të tjera turke pas arrestimit të liderit opozitar Imamoglu

Protesta masive janë duke u mbajtur sonte në Stamboll dhe në qytete të tjera të Turqisë kundër arrestimit të kryebashkiakut opozitar, Ekrem Imamoglu. Në Stamboll, protestuesit po mblidhen në parkun Sarachane nën një prani të fortë policore.
Protestuesit po ecin me flamuj turq, fotografi të presidentit të parë të Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, dhe pankarta me slogane të ndryshme, duke thirrur parulla dhe duke mbajtur pishtarë.
Policia ka bllokuar kalimin që të çon në rrugën Ataturk me mjete të blinduara të stacionuara nën harqet e akveduktit, raportojnë agjencitë ndërkombëtare nga Stambolli.
Imamoglu, i cili akuzohet për lidhje me një grup të përfshirë në korrupsion, ryshfet dhe ndihmë ndaj aktiviteteve terroriste, ka dhënë sot një dëshmi pesë-orëshe para gjykatës, duke mohuar të gjitha akuzat.
Imamoglu është lideri kryesor opozitar dhe sipas disa sondazheve, gëzon më shumë mbështetje se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Partia kryesore opozitare, Partia Popullore Republikane, e ka dënuar arrestimin e Imamoglu si të motivuar politikisht dhe ka bërë thirrje për protesta në përputhje me ligjin.
Imamoglu u arrestua të mërkurën gjatë një bastisjeje në rezidencën e tij, vetëm disa ditë para se të pritej të nominohej si kandidat për president nga Partia Popullore Republikane në zgjedhjet paraprake të së dielës.
Që nga arrestimi i tij, mijëra njerëz janë mbledhur në asamblenë e qytetit të Stambollit për tubime natën, dhe ka pasur përplasje midis protestuesve dhe policisë në Stamboll, kryeqytetin Ankara, dhe qytetin e tretë më të madh të Turqisë, Izmir.