Reagim nga Bashkimi Demokratik për Integrim ndaj manipulimeve dhe akuzave të pavërteta të Qeverisë antishqiptare

Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër akuzat e pavërteta dhe manipulimet që Qeveria antishqiptare shpalosi gjatë konferencës së saj për shtyp. Përpjekja e kësaj qeverie për të përfshirë BDI-në në ngjarjet e lidhura me Ditën e Flamurit Shqiptar përbën jo vetëm një manipulim të papranueshëm, por edhe një përpjekje për të mbuluar dështimet dhe politikat e saj diskriminuese.

Deklarojmë qartë dhe pa asnjë dyshim: BDI nuk ka asnjë lidhje me organizimin e këtyre incidenteve. Çdo deklaratë apo akuzë që pretendon të kundërtën është e pabazë, shpifëse dhe dashakeqe. Qeveria antishqiptare, përmes këtyre deklaratave, po manipulon opinionin publik, duke u përpjekur të shmangë vëmendjen nga e vërteta – fakti që policia ka arrestuar 17 qytetarë shqiptarë për incidentet me flamurin shtetëror, ndërkohë që nuk ka ndaluar asnjë person për djegien e flamurit shqiptar.

Kjo strategji e qeverisë antishqiptare është një përpjekje e qartë për të shmangur përgjegjësinë e saj dhe për të krijuar ndasi etnike. Veprimet e saj jo vetëm që janë të rrezikshme, por edhe minojnë harmoninë dhe stabilitetin në vend.

BDI nuk do të lejojë të jetë objekt i manipulimeve dhe shpifjeve politike. Njoftojmë se do të ndërmarrim të gjitha hapat ligjorë për të kundërshtuar këto akuza të pabaza dhe për të kërkuar përgjegjësi nga të gjithë ata që janë të përfshirë në përhapjen e këtyre dezinformatave.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje qeverisë antishqiptare dhe institucioneve të saj që të ndalojnë menjëherë këtë retorikë të rrezikshme dhe të përqendrohen në trajtimin e situatës në mënyrë të drejtë, profesionale dhe të paanshme.

Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve, për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe për ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe të drejtë për të gjithë. Manipulimet dhe shpifjet nuk do të na ndalin në këtë rrugë.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights