“Reflekton” firma mirëmbajtës e rrugës Ura e Matit – Rrëshen
Pas shqetësimit të ngritur në “Mat Televizion” të drejtuesve të automjeteve dhe banorëve që preken direkt nga rruga nacionale Ura e Matit – Rrëshen, firma mirëmbajtëse ka reflektuar për përgjegjësitë e saj që ka për gjendjen e këtij aksi rrugor.
Pas lajmeve të transmetuara në “Mat Televizion”, firma që ka aktualisht kontratën për këtë aks rrugor ka bërë ndërhyrje duke mbushur gropat të cilat ishin kthyer në shqetësim shumë serioz për të gjitha llojet e automjeteve.
Ndërhyrja është bërë që nga Ura e Matit e deri në Rrëshen, ndërsa segmenti më problematik mbetet ai në afërsi të urës së Urakës, ku për shkak të rrëshqitjes së dherave, rruga është mbuluar e gjitha nga balta.
Jashtë kameras, drejtuesit e automjeteve thanë se kjo ndërhyrje është jo shumë efikase, pasi sapo të ketë reshje shiu, gjendja kthehet si më parë. Një tjetër problem që evidentohet është mosndërhyrja në rivënien në funksion të kanaleve kulluese anësore të cilat mbledhin ujërat e shiut. Mosfunksionimi i tyre ka bërë që uji të vërshojë në asfalt dhe të krijojë probleme kryesisht në ura, siç është ajo në kufirin ndarës mes Matit dhe Mirditës, si dhe ura në Sukbull, këmba e së cilës është në rrezik për shkak se uji e ka gërryer.
Në një reagim të pak ditëve më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar tha se rezultatet e miëmbajtjes nga kompania nuk janë të kënaqshme dhe për këtë ka udhëzuar mbikqyrësin që të monitorojë punën në terren dhe të vendosë penalitete sipas specifikimeve në kontratë.