Rekapitulim: Një vit i dështuar e me plotë skandale të rënda
BFI ka nevojë për një udhëheqje vizionare që i shërben komunitetit, jo interesave personale dhe atyre klanore-politiko-partiake. Nëse kjo nuk ndodh, ky institucion do të vijojë të jetë një pasqyrë e keqmenaxhimit dhe korrupsionit, duke dëmtuar gjithnjë e më shumë komunitetin që supozohet të përfaqësojë
Nga Mr. Abaz Islami
Në prag të përfundimit të vitit 2024, është koha e duhur për të bërë një analizë të thuktë dhe objektive mbi aktivitetin dhe performancën e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) nën drejtimin e Shaqir Fetait. Institucionet fetare, për nga natyra e tyre, pritet të jenë shtylla të stabilitetit moral dhe shpirtëror, si dhe faktorë kontribues në zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor. Por kur viti 2024 analizohet përmes lenteve të aktiviteteve të BFI-së, rezultati është tejet zhgënjyes dhe i mjerë.
Aktivitetet – Forma mbi përmbajtjen
Në vend që të prezantojë një listë të gjatë arritjesh të prekshme dhe strategjike, “raporti” i aktiviteteve të Shaqir Fetait kufizohet në vizita ceremoniale dhe takime që nuk kontribuojnë asgjë në përmirësimin e jetës së besimtarëve apo në forcimin e vetë institucionit. Midis aktiviteteve më të përmendura në paçavurën zyrtare të BFI-së janë: Pritjet dhe përcjelljet: Takime me “haxhi baballarë” dhe figura të ngjashme për çaj e foto-pozime. Këto aktivitete janë më shumë të kota sesa substanciale dhe nuk prodhojnë asnjë rezultat konkret për komunitetin. Vizitat ngushëlluese dhe pjesëmarrjet në ceremoni private: Pjesëmarrja në dua hatme, syneti dhe ceremoni të tjera familjare, kryesisht për miqtë dhe të njohurit e tij personalë. Vizita private dhe konferenca ndërkombëtare pa ndikim: Prezenca në konferenca ku flitet arabisht, një gjuhë të cilën Shaqir Fetai nuk e kupton, duke u reduktuar në rolin e një vëzhguesi pasiv që nuk ka asnjë kontribut real. Nëse këto llogariten si “aktivitetet kryesore” të një institucioni si BFI, atëherë kjo flet shumë për mungesën e vizionit dhe lidershipit në këtë institucion. Një aktivitet i suksesshëm në këtë kontekst duhet të lidhet me projekte madhore për edukimin fetar, zhvillimin e komunitetit dhe fuqizimin e rolit të BFI-së në shoqëri. Këto aspekte mungojnë krejtësisht.
Dështimet e theksuara dhe skandalet e vitit
Kur viti 2024 analizohet me kujdes, lista e dështimeve dhe skandaleve të Shaqir Fetait dhe BFI-së është mjerisht e gjatë: Mbyllja e Medresesë Isa Beu për hirë të akreditimit të një Gjimnazi publiko-privat duke shkaktuar “mashtrim optik” përmes regjistrimit të këtij Gjimnazi me emrin “Medresja Isa Beu” por që i nënshtrohet programit mësimor të shkollave tipike ateiste! Skandal tjetër ishte edhe organizimi i “organeve” paralele dhe alternative, siç është rasti në Myftininë e Tetovës. Shaqir Fetai nuk ia doli që ta zbusë situatën me këtë Myftini, sikundër as edhe me Myftininë e Kumanovës, Strugës, me Fakultetin e Shkencave Islame. Skandal më vete ishte publikimi i fakteve që fliste për korruptimin e Shaqir Fetait duke shpërblyer me haxh gjykatës që ka shpëtuar Sasho Mijallkovin dhe që ka përfunduar në listën e zezë amerikane! Vazhdon moskontrollimi i qindra xhamive si dhe i tjetërsimit të xhamive në kisha e në muze të kulturës krishtere. Janë publikuar edhe mbylljet e bursave dhe stipendive për studentët e vendit por edhe për ata të FSHI-së! Një nga skandalet më të mëdha të këtij viti ishte mospagimi i sigurimeve shëndetësore dhe pensionale për punonjësit e BFI-së. Kjo neglizhencë ka lënë qindra familje pa akses në kujdesin bazë shëndetësor, duke i dënuar me vuajtje dhe pasiguri. Ky është një dështim i papranueshëm i një institucioni që pretendon të mbështesë mirëqenien dhe drejtësinë.
Mungesa e transparencës financiare
Shaqir Fetai vazhdon të udhëheqë një institucion ku raportimi financiar është pothuajse inekzistent. Nuk ka një transparencë të qartë mbi përdorimin e fondeve të BFI-së, ndërsa dyshimet për keqpërdorim dhe zhvatje fondesh rriten çdo ditë. Ku shkojnë paratë nga buxheti i miratuar për projekte dhe sigurime? Askush nuk di të thotë me siguri. Pat ankesa se u vodh mishi i kurbanëve, kurrë nuk u shpjegua ngritja enorme e çmimit të haxhit, pat akuza se u keqpërdor shoqata humanitare, pat ankesa se u vodhën paratë e ndihmave për në Bosnjë.
Skandale të përhershme morale dhe etike
Shaqir Fetai është përfshirë në një seri skandalesh morale dhe etike që minojnë kredibilitetin e tij si lider fetar. Nga kompromiset me figura politike që shpërfillin parimet islame, deri te paraqitjet publike në ambiente që nuk përputhen me vlerat e fesë, udhëheqja e tij ka qenë gjithçka tjetër përveçse shembull për besimtarët.
Mungesa e projekteve strategjike
Përgjatë gjithë vitit, nuk është evidentuar asnjë projekt madhor për të përmirësuar edukimin fetar, për të ndihmuar shtresat e margjinalizuara, apo për të forcuar pozicionin e BFI-së si një institucion i respektuar. Nisma të tilla, që duhet të jenë shtyllat e çdo institucioni fetar, janë të papranishme në punën e BFI-së.
Izolimi ndërkombëtar
Pavarësisht pjesëmarrjes në disa konferenca ndërkombëtare, BFI nën Shaqir Fetain vazhdon të mbetet një institucion i izoluar. Mungesa e njohurive gjuhësore dhe e aftësive diplomatike ka bërë që përfaqësimi i BFI-së në botën islame të jetë i zbehtë dhe pa ndikim. Ishte një vit me vizita shumë të vakëta nga kori diplomatik gjë që flet se Shaqir Fetai këtë vit ka qene i izoluar deri në bezdi. Madje as Kryetari i Kuvendit të Turqisë nuk deshti që ta takojë në BFI por e takoi në xhaminë e Mustafa Pashës! (Dikur BFI vizitohej nga burrshtetas, nga figura kombëtare e ndërkombëtare).
Çfarë e karakterizon një vit të suksesshëm?
Një vit i suksesshëm për një institucion si BFI duhet të matet nga ndikimi pozitiv që ka në jetën e komunitetit dhe nga aftësia për të kontribuar në zhvillimin moral, arsimor dhe ekonomik të besimtarëve.
Për shembull:
Projekte për ndihmë humanitare dhe sociale: Mbështetje për familjet në nevojë, jetimët dhe të moshuarit.
Reforma arsimore: Përmirësimi i mësimdhënies fetare në medrese dhe ngritja e cilësisë së arsimit islam në vend.
Transparenca financiare: Raportimi i detajuar i buxhetit dhe shpenzimeve.
Ndërtimi i urave ndërkombëtare: Rritja e reputacionit dhe ndikimit të BFI-së në botën islame dhe asaj Perëndimore përmes bashkëpunimeve konkrete. Qysh para katër viteve është nënvizuar se është siguruar donacion arab për financimin e botimit të Fjalorit të prof. Mahir Hasait dhe, sikur të mos shpresonte në këtë lehtësim financiar, deri më tani Fjalorin do ta financonte vetë profesori, madje edhe do të ishte shitur deri më sot.
Konkluzioni: Një vit i humbur për BFI-në
Viti 2024 nën udhëheqjen e Shaqir Fetait do të mbahet mend si një vit stagnimi dhe dështimesh për Bashkësinë Fetare Islame. Në vend që të forcojë pozicionin e saj dhe të punojë për interesat e besimtarëve, BFI ka humbur kohën dhe burimet në “ceremoni” pa kurrfarë rëndësie dhe në keqmenaxhimin e fondeve. Është koha për një reflektim të thellë dhe për ndryshime rrënjësore. BFI ka nevojë për një udhëheqje vizionare që i shërben komunitetit, jo interesave personale dhe atyre klanore-politiko-partiake. Nëse kjo nuk ndodh, ky institucion do të vijojë të jetë një pasqyrë e keqmenaxhimit dhe korrupsionit, duke dëmtuar gjithnjë e më shumë komunitetin që supozohet të përfaqësojë.