Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli u takua me drejtorin ekzekutiv të organizatës “Open Gov Hub Al”

 

 

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli u takua me drejtorin ekzekutiv të organizatës “Open Gov Hub Al”

Me ftesë të drejtorit ekzekutiv të organizatës “Open Gov Hub Al”, z. Edision Frangu, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, realizoi një vizitë në zyrat e kësaj organizate në Tiranë (Shqipëri).
Gjatë takimit, Prof. Dr. Jusuf Zejneli fillimisht falënderoi z. Frangu për ftesën dhe më pas prezantoi një panoramë të zhvillimit të universitetit që ai drejton, duke përfshirë objektivat, përparësitë dhe sfidat me të cilat përballet ky institucion arsimor. “Një nga përparësitë tona në funksion të përmbushjes së misionit të një strukture akademike, siç është universiteti, është edhe bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile, partneriteti me këto organizata, bashkimi i forcave me to. Edhe organizatat e shoqërisë civile bashkohen në disa momente me objektivat e universitetit për të qenë të dobishme për shoqërinë,” tha Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i organizatës “Open Gov Hub Al”, z. Edision Frangu, e falënderoi Rektorin për këtë vizitë dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në projekte të përbashkëta. Organizata “Open Gov Hub Al” është pjesë e një rrjeti ndërkombëtar me qendër në SHBA, që promovon krijimin e një shoqërie të hapur përmes krijimit të mundësive dhe rritjes së ndërveprimit midis sektorëve dhe organizatave të ndryshme. Ajo shërben si një urë lidhëse për të vendosur bashkëpunimin e nevojshëm për të adresuar sfidat globale të kohës sonë, veçanërisht ato që lidhen me qeverisjen e mirë dhe të hapur.Gjatë takimit u hodh ideja për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet organizatës dhe Universitetit të Tetovës, për të cilin u ra dakord që të konkretizohet në një të ardhme shumë të afërt. Drejtori ekzekutiv Frangu bëri një panoramë të projekteve të kësaj organizate, e cila funksionon në të gjithë Ballkanin. Rektori i Universitetit të Tetovës, i cili gjatë vizitës shoqërohej nga profesori i Universitetit të Tiranës dhe njëkohësisht ligjërues në Universitetin e Tetovës, Prof. Ass. Dr. Zylyftar Bregu, i dhuroi drejtorit Frangu disa libra të botuar nga Universiteti i Tetovës. Më pas u vizituan edhe mjediset e kësaj qendre. Gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, Rektori i UT-së takoi edhe shumë personalitete nga sfera e arsimit të lartë. Bashkëpunimi i Universitetit të Tetovës me aktorë ndërkombëtarë, qofshin këto institucione akademike apo organizata të shoqërisë civile, ka njohur një hov të ndjeshëm kohët e fundit.

 

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights