REKTORI ZEQIRI PRITI ZËVENDËSKRYEMINISTRIN PËR QEVERISJE TË MIRË ARBEN FETAI DHE PROFESORIN NGA BELGJIKA JEAN MICHEL DE WAELE
Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Izet Zeqiri sot priti në një takim pune zëvendëskryeministrin për qeverisje të mirë, z. Arben Fetai dhe ekspertin e shquar në fushën e shkencave politike z. Jean Michel De Waele nga Belgjika.
Rektori Zeqiri i shoqëruar nga profesoresha Arta Xhelili, gjatë takimit të punës me zëvendëskryeministrin Fetai, profesorin Jean Michel De Waele dhe këshilltarët e kabinetit Omer Ajdini dhe Ilir Osmani diskutuan mundësitë që UNT ofron për studentët që vijojnë studimet në këtë kampus universitar, zhvillimin e cilësisë në arsimin e lartë, sfidat dhe arritjet e përbashkëta që nga themelimi e deri më sot.
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai falënderoi rektorin Zeqiri dhe stafin e UNT-së për angazhimin maksimal në bashkëpunimet akademike, ndërsa profesori, Jean Michel De Waele si doktor i shkencave politike dhe ligjërues i shumë universiteteve ndërkombëtare përgëzoi udhëheqësinë për mundësinë e një ligjerate të hapur mbi shkencat politike si dhe angazhimet për ngritjen e arsimit të lartë në vend dhe sferën ndërkombëtare.
Profesoresha Arta Xhelili si përfaqësuese nga stafi akademik për Erasmus+ në UNT, shpalosi informacione rreth zhvillimit të këtij programi kuadër Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup si dhe bashkëpunimet e ngushta me universitet jashtë vendit që shërbejnë për avancim dhe kualitetit në planprogramet studimore.
Pas takimit zyrtar, zëvendëskryeministri Fetai dhe profesori Jean Michel De Waele së bashku me rektorin Zeqiri vizituan Galerinë “Omer Kaleshi” dhe bibliotekën universitare me çrast pas vizitave vijoi edhe ligjërata e hapur me temë: “INTEGRIMI NË BE DHE SHTETI I SË DREJTËS – MËSIMET NGA RAPORTET E MËPARSHME TË ZGJERIMIT” me student të shkencave politike dhe jo vetëm.