Richard Grenell: Agjenti i destabilizimit në Ballkan

Richard Grenell nuk është thjesht një emisar i dështuar diplomatik. Ai nuk është as një ndërmjetës i paanshëm që kërkon stabilitet e marrëveshje të drejta. Ai është një lojtar i hapur politik, i cili ka ndërruar misionin e tij të dështuar si i dërguar i posaçëm i SHBA-së në Ballkan me atë të një strategu prapaskenash, duke u bërë një instrument i një axhende që nuk i shërben as Kosovës, as drejtësisë, as demokracisë.
Grenell nuk është i interesuar për përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ai nuk kërkon forcimin e demokracisë, as integrimin euro-atlantik, as drejtësinë për popullin tonë. Ai kërkon vetëm një gjë: largimin e qeverisë legjitime të Kosovës, rrëzimin e një kryeministri të zgjedhur nga populli dhe kthimin e vendit tonë në një shtojcë të pazarit të tij personal e financiar në Ballkan. Ai kërkon ta dobësojë Kosovën, ta bëjë më të brishtë dhe më të nënshtrueshme ndaj projekteve që synojnë ndarjen e saj dhe kthimin në një territor të kontrolluar nga interesat e tij dhe aleatëve të tij në rajon.
Në administratën e parë të Trump, ai u përpoq ta ndajë Kosovën, duke e kthyer dialogun me Serbinë në një proces biznesi e pazaresh. Ai ndihmoi në rrëzimin e qeverisë së parë të Albin Kurtit, sepse nuk duronte një qeveri që i shërbente qytetarëve dhe jo grupeve të interesit. Ai punoi për marrëveshje që nuk kishin për bazë drejtësinë, por leverdinë e tij dhe të atyre që e sponsorizojnë.
Tani, me rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Grenell ka gjetur sërish hapësirë për të luajtur të njëjtin rol të rrezikshëm. Ai nuk është një diplomat – ai është një politikan hileqar që kërkon ta kthejë Kosovën në një tabelë shahu të projekteve të tij. Dhe nuk është rastësi që, gjatë kohës jashtë qeverisë, ai ka punuar me Xhared Kushner në projekte në Serbi dhe Shqipëri. Një qeveri normale amerikane nuk do ta lejonte kurrë afër Ballkanit, për shkak të konfliktit të tij të hapur të interesit. Por kjo administratë nuk e njeh konfliktin e interesit, sepse për ta politika është thjesht një vazhdim i biznesit me mjete të tjera.
Por Kosova nuk është plaçkë tregu. Qeveria e Kosovës nuk është një kompani që mund ta marrësh, ta privatizosh dhe ta menaxhosh sipas interesave të klientëve të tu. Kosova është shtet, me institucione legjitime dhe me një popull që nuk do të lejojë që fatet e tij të shkruhen nga emisarë të diplomacisë së hotelxhiut.
Prandaj, sado që Grenell të punojë në prapaskenë, sado që të përpiqet të imponojë agjendën e tij, një gjë është e qartë: Kosova nuk do të kthehet më në vitin 2020. Demokracia në Kosovë nuk është më një mjet për pazare, por një vullnet i qytetarëve të saj. Dhe ky vullnet nuk e lëshon sovranitetin e tij në duart e një negociatori të dështuar, që është më shumë tregtar se sa diplomat.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights