Serbia kërkon shpjegim nga Kroacia dhe Shqipëria për memorandumet trilaterale me Kosovën

Ministria e Jashtme e Serbisë ka vlerësuar se marrëveshja ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës “minon stabilitetin rajonal”.

Ministria e Jashtme e Serbisë do të dërgojë një kërkesë urgjente në ministritë e Jashtme të Kroacisë dhe Shqipërisë për një shpjegim të detajuar në lidhje me nënshkrimin e memorandumit trilateral për bashkëpunim me Kosovën në fushën e mbrojtjes.

Sipas vlerësimit të Ministrisë në Beograd, dy shtetet “marrin hapa që minojnë stabilitetin rajonal”.

Autoritetet në Beograd, të cilat nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, vlerësuan se iniciativa, e cila po realizohet pa Serbinë, por me Prishtinën, “përbën një provokim të hapur dhe një mosrespektim të ashpër të realitetit në terren”.

“Ne presim një përgjigje urgjente nga Zagrebi dhe Tirana për qëllimet dhe synimet e vërteta të kësaj loje të rrezikshme të sigurisë dhe mbrojtjes. Serbia nuk do të lejojë asnjë veprim njëanshëm që mund të rrezikojë integritetin tonë territorial, sigurinë e qytetarëve tanë dhe paqen në rajon”, thuhet në një njoftim.

Ministria e Jashtme e Serbisë vlerësoi se memorandumi është rezultat i një “strategjie të orientuar drejt izolimit të Serbisë”.

Në Marrëveshjen e Ohrit të arritur në vitin 2023 ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, thuhet se Serbia “nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Ministrat e Mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan më 18 mars në Tiranë një Deklaratë, e cila forcon bashkëpunimin trilateral dhe thekson rëndësinë e përgjigjeve të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal.

Deklarata përfshin, sipas raportimit të Radiotelevizionit të Kroacisë, përmirësimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe bashkëpunimin ndërmjet industrive të mbrojtjes, forcimin e interoperabilitetit përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve, luftën kundër kërcënimeve hibride, si dhe mbështetje të plotë për integrimin euroatlantik.

Sipas deklaratës, mund të bashkohen edhe shtete të tjera anëtare.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights