Shakohoxha ndalohet në Beograd: Gazetarët shqiptarë në listë të zezë

Gazetari i njohur sportiv Dritan Shakohoxha ka përjetuar një incident të pakëndshëm sot në aeroportin e Beogradit, ku është ndaluar për afro 3 orë nga autoritetet serbe, së bashku me disa kolegë nga Shqipëria.

Shakohoxha udhëtoi drejt kryeqytetit serb për të ndjekur nga afër ndeshjen e kombëtares shqiptare, por procedurat në aeroport u bënë të papritura dhe pa asnjë shpjegim zyrtar.

“Ishte një situatë absurde. Më morën pasaportën mua dhe disa kolegëve të tjerë dhe nuk na jepnin asnjë shpjegim. Më pas pashë emrin tim, të Arlind Sadikut dhe disa komentatorëve të tjerë që ishin aty – na kishin futur në një lloj liste të çuditshme,” tha Shakohoxha.

Sipas gazetarit, autoritetet serbe vazhdimisht pyesnin për qëllimin e vizitës në Beograd dhe më pas largoheshin pa dhënë sqarime.

“Na pyesnin për çfarë kishim shkuar, largoheshin, vinin prapë… Një marrëzi e pafund. Deri në fund na lejuan të largoheshim,” shtoi ai.

I pyetur nëse do të jetë në stadium për ndeshjen, Shakohoxha u shpreh se do të shkojë, “nëse serbët nuk bëjnë sërish çmenduri ndaj gazetarëve shqiptarë”.

Ky incident rikthen në kujtesë ngjarjen e vitit 2014, kur Shakohoxha përjetoi një përvojë të ngjashme gjatë një vizite profesionale në Beograd, duke treguar se edhe pas 11 vitesh, disa gazetarë shqiptarë përballen me situata të papritura në Serbi.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT