Shkëndija pas pauzës të dielën ndeshet me Pelisterin

Pas një pauze dyjavore për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese, Shkëndija rikthehet në fushë këtë fundjavë në kuadër të xhiros së 15-të të Kampionatit të Maqedonisë së Veriut. Në orën 17:00 të së dielës (24 nëntor), kuqezinjtë do të udhëtojnë në Manastir për përballjen me Pelisterin, duke synuar vazhdimin e formës pozitive dhe konsolidimin në krye të tabelës.

Skuadra shkoi në pauzë pas një fitoreje 4:3 ndaj Brerës, që e siguroi vendin e parë në klasifikim, megjithëse me pikë të barabarta me Sileksin dhe Gostivarin. Pauza ishte e mirëpritur pas një kalendari të ngjeshur ndeshjesh fundjavë-mesjavë, duke i dhënë ekipit mundësinë për të pushuar, për të rikuperuar lojtarët e dëmtuar dhe për të rifreskuar energjitë në prag të sfidave të ardhshme.

Atmosfera brenda ekipit është pozitive dhe optimiste, ndërsa të gjithë janë të përqendruar në përgatitjet për takimin e radhës.

“Pauza na ndihmoi të rikuperohemi fizikisht dhe psiqikisht pas një periudhe të ngarkuar. Skuadra është në atmosferë të mirë dhe të gjithë jemi të motivuar për të vazhduar me fitore. E dimë që çdo ndeshje është sfiduese, por synimi ynë ndaj Pelisterit është i qartë, duam tri pikët që të ruajmë pozitat tona si liderë në tabelë”, shprehet  mbrojtësi i djathtë, Aleksander Trumçi, duke folur për përshtypjet e tij për këtë periudhë dhe pritshmëritë për ndeshjen kundër Pelisterit.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights