Saturday, April 27, 2024
spot_img

“SHKRIMTARËT” PËRGOJUES!

Një nga mjekët më të shquar të Perandorisë Romake, Geleni nga Pergamoni, do të thotë se mjeku më i mirë është natyra, sepse shëron dy të tretat e sëmundjeve dhe nuk flet keq për kolegët, një thënie kjo vërtet shumë e thellë dhe aktuale në çdo kohë. Po pse ndër ne ka shumë shkrimtarë që flasin keq për njëri tjetrin, thuajse krijimi letrar na qenka arenë garash? Pse midis komunitetit të shkrimtarëve ka aq shumë egoizëm? Pse ata nuk e kuptojnë se letërsia shqiptare është një hapësirë, ku gjithmonë ka vend për veprat e mira, cilësore dhe me nivel të lartë artistik?

Letërsia latino-amerikane shpërtheu në përmasa botërore vetëm e vetëm duke e tërhequr njëri shkrimtar tjetrin. Ata kur flasin nuk e nxjerrin veten në plan të parë, por radhisin emra e emra, gjë që bëri interesimi për këtë letërsi të jetë i jashtëzakonshëm dhe të qëndrojë në majat më të larta.

Janë të shumtë ata që nuk e shikojnë përmbajtjen, por formën. Janë të shumtë ata që një krijim letrar nuk e lexojnë për ta shijuar të bukurën, por për të vjedhur diçka nga ajo vepër. Sot, fatkeqësisht, kemi shumë qarqe letrare të mbyllura në një rreth, që veç tjerash, merren me intriga, sajesa e të pavërteta për ndonjë emër që papritmas shpërthen dhe ofron vlera të reja artistike. Dhe, këta emra nuk përjetohen si diçka e mirë për letërsinë tonë, por si “kanosës” të hapësirës së tyre letrare dhe dëmtues të qarkut të tyre të mbyllur. Dhe këto qarqe, pa vetëdije, rrezikojnë të ndrydhin shpresat e shumë talenteve, duke vlerësuar se ata dhe vetëm ata janë ata “të vërtetët”.

Në hapësirën shqiptare janë disa grupe shkrimtarësh që vetëm presin të organizohet ndonjë ngjarje letrar. Vit për vit i vëren të njëjtat fytyra. Mblidhen bëjnë ahengje, hanë e pinë, lexojnë ndonjë varg sa për sy e faqe, pa fije turpi i mbushin profilet me foto nga drekat dhe darkat dhe përgojojnë individë që s’kanë pikën e fajit.

Një poezi e mirë, një tregim i mirë apo një vepër e mirë duhet të na gëzojë të gjithëve, sepse vetëm e pasuron letërsinë shqiptare. Gjithçka tjetër është e vdekshme, vetëm veprat e mira ngelin të përjetshme. Prandaj, është mirë që ziliqarët ta marrin si moto jetësore thënien e Galenit dhe t’i shërojnë sëmundjet shpirtërore dhe mos të flasin keq për ata që janë individualitet të suksesshme letrare, sepse veprat e suksesshme letrare i nderojnë, pa përjashtim, të gjithë shqiptarët. Përvoja ka treguar se të suksesshëm janë ata që punojnë e që sakrifikojnë dhe jo ata që rrinë nën hije, bëjnë qejfe e përgojojnë të suksesshmit. Fatkeqësisht, përgojuesit më të mëdhenj po bëhen ata që shtiren se janë shkrimtarë…/Hejza/

TE NDRYSHME

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

TE FUNDIT