Shkup, Gashi – Iftar i përbashkët me liderët politikë dhe krerët fetarë

Me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u organizua një iftar i përbashkët, ku morën pjesë deputetë, kryeministri me anëtarët e kabinetit qeveritar, liderët e partive politike, si dhe krerët e bashkësive fetare. Ky moment i veçantë shërbeu për forcimin e lidhjeve dhe theksimin e rëndësisë së bashkëjetesës mes komuniteteve të ndryshme.
Në këtë iftar morën pjesë edhe myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili, dhe myftiu i Gostivarit, h. Sabahudin ef. Zendeli. Prania e tyre theksoi rëndësinë e harmonisë ndërfetare dhe bashkëpunimit për një shoqëri të bazuar në respektin dhe tolerancën.
Afrim Gashi, në fjalën e tij, nënvizoi se, ndonëse iftari ka sfond religjioz, ai mbart një mesazh universal dashurie, respekti, mirëkuptimi dhe morali të lartë. Ai falënderoi të gjithë të pranishmit për përgjigjen ndaj ftesës dhe shprehu dëshirën që ky moment të vazhdojë të jetë një traditë që afron njerëzit dhe forcon vlerat e përbashkëta për një shoqëri në harmoni të plotë.