Shkupi, fitore e re në regji të dyshes Avornyo&Imeri

Skuadra jonë vazhdon të dëshmojë formë të shkëlqyer në kampionat, duke regjistruar një tjetër fitore të rëndësishme. Kësaj radhe, ekipi i udhëhequr nga trajneri Alparslan Erdem triumfoi në transfertë ndaj Breras në Strumicë me rezultatin 1-2, duke shënuar kështu suksesin e katërt radhazi në ligë.
Ecuri fantastike me dyshen Avornyo – Imeri në formë
Me një performancë të organizuar mirë dhe një qasje të balancuar mes mbrojtjes dhe sulmit, Shkupi e dominoi ndeshjen duke krijuar raste të shumta, sidomos në fillim të takimit dhe duke mbajtur kreysisht kundërshtarët larg portës sonë. Ekipi shfaqi disiplinë taktike dhe efikasitet në shfrytëzimin e mundësive për të shënuar, sërish nëpërmjet dyshes Avornyo&Imeri, ndonëse ekipi ynë kishte edhe disa raste të tjera të pashfrytëzuara.
Pjesa e parë: Avornyo kujdeset sërish për zhbllokim të rezultatit
Ashtu si në ndeshjen e kaluar kundër Rabotniçkit, edhe këtë herë protagonistët kryesorë të fitores së Shkupit ishin Emanuel Avornyo dhe Demir Imeri. Sulmuesi ganez Avornyo zhbllokoi rezultatin në minutën e 31-të të pjesës së parë pas një asisti nga e djahta të Xhemal Ibishi. Për Avornyon ishte ky goli i dytë në seri, apo i treti gjatë këtij kampionati. Para këtij goli, ekipi pati disa raste të mira për të kaluar në avantazh, me Florian Kadriun dhe vetë Ibishin që ishin pranë golit. Dominimi i Shkupit në mesfushë dhe presioni konstant kundër Breras dha frytet e veta, duke i mbajtur vendasit në vështirësi dhe shumë larg zonës së portës sonë.
Pjesa e dytë: Imeri vulos një fitore tjetër
Në pjesën e dytë, vendasit e Breras tentuan të reagojnë, por portieri ynë Denkovski kishte një reagim të shkëlqyer në minutën e 60-të për të ruajtur avantazhin. Ndërkohë, Shkupi nuk u mjaftua me një gol dhe në minutën e 67-të ishte Demir Imeri ai që shënoi për 0-2, për epërsi solide të skuadrës sonë. Ngjashëm si për Avorynon, edhe për Imerin ishte ky goli i dytë në dy ndeshjet e fundit, i treti në kampionat. Nga ana tjetër, vendasit në minutën e 82-të ngushtuan dizavantazhin në 1-2, nëpërmjet golit të Georgievskit, por më pas, skuadra ynë nuk pati probleme, për të shënuar fitoren e katërt rresht në kampionat, apo të dytën në poaq ndeshje në pjesën pranverore.
Klasifikimi dhe objektivat e ardhshme
Me këtë fitore të rëndësishme, Shkupi konsolidon edhe më shumë pozicionin në mesin e tabelës, duke vazhduar të qëndroj në vendin e gjashtë me 28 pikë. Diferenca me vendin e pestë, të mbajtur aktualisht nga Struga, është zvogluar në vetëm katër pikë, çka tregon se ekipi ynë është në rrugën e duhur për të synuar një pozicion sa më të lartë në renditje. Me një ecuri të tillë, synimi është të afrohemi edhe më shumë me ekipet e kreut dhe të sigurojmë një përfundim të suksesshëm të sezonit.
Ecuria pozitive dhe organizimi i mirë i skuadrës nën drejtimin e kryesisë së re dhe trajnerit Alparslan Erdem, po jep rezultatet e pritura, dhe Shkupi do të vazhdojë të luftojë për të përmirësuar edhe më tej pozitat në kampionat. Me ndeshjet e ardhshme në horizont, përqendrimi mbetet te përmirësimi i mëtejshëm i lojës dhe ruajtja e ritmit të fitoreve.
Ekipi startues:
Denkovski, Blazevski, Ansah, Ramani (k), Kadriu, Numan, Imeri, Liçina, Avornyo, Lazarov
Luajtën edhe:
Diene, Asani, Stojanovski, Toshevski
Golashënues:
Avornyo (31), Imeri (67`)
Kartona të verdhë:
Lazarov