Shqipëria mirëpriti 400 mijë turistë gjermanë në 2024, Rama: Po bëhemi fuqi turistike

Kryeministri Edi Rama deklaroi në hapjen e panairit ITB Berlin 2025 se Shqipëria po përjeton një bum turistik, duke pritur 12 milionë vizitorë vitin e kaluar dhe duke regjistruar rekorde të reja në muajt e parë të këtij viti. Ai theksoi se numri i turistëve gjermanë është katërfishuar, duke arritur në afro 400 mijë, dhe vlerësoi turistët nga Gjermania si ndër më të mirët për ekonominë e vendit.
Gjatë fjalës së tij, Rama krahasoi Shqipërinë me destinacione të njohura si Bora-Bora dhe theksoi se atraksionet shqiptare, si plazhet e Ksamilit dhe peizazhet malore të Thethit e Valbonës, po fitojnë vëmendje ndërkombëtare. Ai citoi mediat gjermane si “Der Spiegel” dhe “Bild”, të cilat e konsiderojnë Shqipërinë si destinacionin turistik me rritjen më të shpejtë në Evropë.
Kryeministri përmendi gjithashtu lidhjet ajrore direkte nga qytetet kryesore gjermane me Shqipërinë dhe tha se vendi po bëhet gjithnjë e më i aksesueshëm për turistët evropianë. Ai shprehu bindjen se Shqipëria nuk është më një perlë e fshehur, por një destinacion që po ngjitet me shpejtësi në skenën turistike globale.