Shqipëria për nëntë muaj ka realizuar të ardhura rekord nga turizmi prej rreth katër miliardë euro.
Në periudhën janar-shtator, sektori i turizmit në ekonominë shqiptare solli të ardhura prej 3.8 miliardë euro, duke iu afruar nivelit të të ardhurave të gjithë vitit të kaluar, kur ato arritën në 4.2 miliardë euro, njoftoi Banka Qendrore e Shqipërisë.
Vetëm gjatë sezonit veror, janë realizuar të ardhura prej 1.9 miliardë euro, sipas të dhënave të bankës, e cila vlerëson se të ardhurat dhe shpenzimet në këtë sektor janë rritur përkatësisht me rreth 15 për qind.
Të dhënat konfirmojnë se për 11 muaj Shqipërinë e kanë vizituar mbi 11 milionë turistë të huaj, që është 1.5 milionë ose 15.8 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Parashikimet janë që vitin e ardhshëm numri i turistëve të jetë edhe më i madh dhe me këtë, edhe të ardhurat në ekonominë shqiptare.
Nga ana tjetër, edhe qytetarët shqiptarë kanë udhëtuar më shumë jashtë vendit, kryesisht për pushime, për të cilat kanë shpenzuar 879 milionë euro.