Si përfaqësues legjitim në emër të popullit shqiptar, i bëjmë apel ndërgjegjes së Gjykatës Kushtetuese që të mos vërë në rrezik të pakthyeshëm demokracinë tonë multietnike.
Në këto orë vendimtare për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut, kur Gjykata Kushtetuese po shqyrton çështje që mund të ndryshojnë rrënjësisht strukturën e shtetit tonë multietnik, ne i drejtohemi ndërgjegjes së gjykatësve dhe ndërgjegjes së atyre që mund të jenë duke ndikuar mbi vendimet e tyre.
Ky është një moment kritik jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë qytetarët e vendit që besojnë në vlera demokratike, në barazi dhe në bashkëjetesë.
Si përfaqësuesit legjitim të vullnetit shumicë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nga zgjedhjet e fundit theksojmë se çdo cenim i barazisë kushtetuese është një cenim i paqes, stabilitetit dhe progresit të përbashkët.
Marrëveshja paqësore nuk është një dokument që mund të deformohet sipas interesave ditore politike; ajo është themeli që mban të bashkuar një shtet multietnik dhe demokratik.
Sot, ne jemi sërish në një udhëkryq, ku e drejta jonë për përfaqësim, për barazi dhe për një vend të merituar në këtë shoqëri është vënë në pikëpyetje. I drejtohemi gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese:
Ky nuk është vetëm një vendim ligjor – është një vendim që do të përcaktojë nëse Maqedonia e Veriut mbetet një shtet ku të gjithë qytetarët e saj ndihen të barabartë dhe të respektuar.
Mos e bëni gabimin historik që të thyeni atë që kemi ndërtuar së bashku, me shumë mund dhe përpjekje.
Apelojmë gjithashtu tek qytetarët dhe institucionet ndërkombëtare që të monitorojnë me vëmendje këtë proces. Nuk mund të ketë demokraci funksionale pa respektimin e plotë të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre kushtetuese.
Mos harroni: Demokracia nuk është dhuratë, ajo është një përgjegjësi. Sot, është përgjegjësia juaj mos ta sfidoni atë.