Skandal në Myftininë e Tetovës/ Nesimi le mbi 100 nënpunës fetarë pa kontribute pensionale

Mbi 100 nëpunës fetarë, disa prej tyre me muaj e disa me vite, kanë mbetur pa përvojën e punës. Lista e siguruar nga ne përfshin emra të shumtë hoxhallarësh dhe muezinësh, të cilët kanë punuar, por kontributet e tyre pensionale nuk janë paguar në Fondin Pensional, edhe pse paratë janë tërhequr nga këshillat e xhamive. Myftiu i Tetovës, Selver Xhemaili, e ka konfirmuar këtë informacion, duke deklaruar se të gjitha detajet do të bëhen publike.
Ai theksoi se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë për të zgjidhur këtë problematikë.
“Padyshim se ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje, derisa çdo punëtor të marrë hakun e vet. Do të shfrytëzojmë të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë edhe Prokurorinë, për të vënë para përgjegjësisë të gjithë fajtorët e kësaj problematike,” thuhet në reagimin e Myftinisë së Tetovës, e cila udhëhiqet nga Selver Xhemaili.
Megjithatë, përveç kësaj çështjeje, një tjetër problem e ka përçarë xhematin e Tetovës edhe gjatë këtij Ramazani, pasi vazhdon mungesa e një marrëveshjeje mes Qani Nesimit dhe Selver Xhemailit. /tvklan.mk/