Sokol Dobruna dhe Halil Çadraku shkojnë në Hagë, do të dëshmojnë…
Në kohën kur gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së është intensifikuar dukshëm, dëshmitarët po vazhdojnë dëshmitë e tyre para trupit gjykues.
Drejt Hagës së fundmi kanë udhëtuar edhe Sokol Dobruna dhe Halil Çadraku. Të dy do të jenë dëshmitar në rastin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.
Lajmin e ka konfirmuar edhe avokati i tyre Arianit Koci, i cili gjithashtu ka udhëtuar drejt Hagës.
Udhëtimin drejt Hagës e ka bërë të ditur edhe vet Çadraku nëpërmjet një postimi në rrjete sociale.
Sokol Dobruna kishte qenë kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së. Rasti më i njohur për të cilin Dobruna ka folur shpesh, lidhet me një vendim që e kishte marrë për pushkatimin e Blerim Kuçit, ish-kryetarit të Suharekës.
“Unë dua të tregoj se në Gjykatën Ushtarake kemi patur Kodin penal të luftës, Kodin e Procedurës Penale, Kodin e ekzekutimeve penale. Unë personalisht e kam dënuar njeriun me pushkatim, Blerim Kuçin ish-kryetarin e Suharekës. Mirëpo i njëjti ligj që e ka dënua, ligji i ekzekutimeve penale i cili është në arkiv e ka liruar,unë jo por ligji”, kishte deklaruar Dobruna vite më parë.
Ndërsa, Halil Çadraku është përmendur disa here në Hagë, si përgjegjës për sektorin e Zbulim-Kundërzbulimit në zonën e Pashtrikut.
Në mesin e dëshmitarëve të fundit, kanë qenë kryesisht ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë dëshmuar për strukturën dhe organizimin.
Edhe 43 dëshmitarë të Prokurorisë së Hagës kanë mbetur për të dëshmuar në rastin e krerëve të UÇK-së.