STUDENTËT E PSIKOLOGJISË NGA UNT, NË FOKUS TË MEDIAS PËR EDUKIMIN PRINDËROR
Studentët e vitit të parë nga programi studimor të Psikologjisë pranë Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup janë bërë pjesë aktive e diskursit publik për edukimin prindëror gjatë këtij semestri.
Në kuadër të angazhimeve të tyre akademike dhe praktike, ata kanë zhvilluar dhe prezantuar tema mbi gabimet prindërore gjatë procesit të edukimit të fëmijës, duke nxjerrë në pah rëndësinë e metodave të shëndetshme dhe pozitive për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.
Studentët kanë ndarë njohuritë dhe vëzhgimet e tyre në një sërë platformash mediatike, duke përfshirë: TV Koha, MTV2, si dhe Jon Radio.
Gjatë paraqitjeve të tyre, ata kanë trajtuar aspekte kyçe të edukimit prindëror, duke ofruar këndvështrime shkencore dhe sociale mbi ndikimin e gabimeve prindërore në zhvillimin emocional dhe psikologjik të fëmijës.
Pjesëmarrësit në këto paraqitje kanë qenë: Busejna Aqemi, Elmedina Ramadani, Afra Jakupi, Rina Ramadani, Elmosa Sejfullai, Sakibe Limani, Anisa Mjaku, Ermira Aliu dhe Emira Ismaili.
Ky angazhim reflekton përkushtimin e stafit universitar për të integruar teorinë dhe praktikën, duke nxitur studentët që të bëhen zë i rëndësishëm në çështje që ndikojnë drejtpërdrejt shoqërinë tonë. UNT mbetet e përkushtuar për të mbështetur talentin dhe për të promovuar qasje gjithëpërfshirëse në arsim dhe hulumtim.