Sulejmani: U premtua shkollë e re në Kalishtë, për 20 vjet qëndroi vetëm bazamenti i betonit

Deputeti nga radhët e Koalicionit VLEN, Salim Sulejmani, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka kërkuar përgjegjësi për mos ndërtimin e shkollës në fshatin Kalishtë të Strugës. Ai tha se që nga viti 2003 është planifikuar ndërtimi i asaj shkolle dhe është hapur tender ku kanë filluar edhe punimet për të mos përfunduar asnjëherë.
“Gjatë një ankesa të qytetarëve në vitin 2005 Inspektorët nuk kishin asnjë informatë se çfarë ka ndodhur me planifikimin në fjalë. Çka u bë me mjetet e planifikuara dhe pse i njëjti projekt nuk u realizua. Përgjigja e tyre ishte se kryetari i Komunës është i informuar dhe përgjigja ndaj qytetarëve ishte se për më tepër informata të drejtohen te kryetari i Komunës. Nga ana e Komunës, asnjëherë nuk është dhënë informatë për ndërprerjen e punimeve. Pra, në atë lokacion ka qenë i planifikuar ndërtimi i shkollës fillore që asnjëherë nuk është realizuar, por që bazamenti figuron sot e kësaj dite. Lëre më që shkolla nuk u ndërtua, por shtyllat betonike mbi 20 vjet janë pengesë që fëmijët të lozin në oborrin e shkollës, dhe si pasoj e asaj pengese nuk mund të ndërtohet as terren sportive për nevojat e shkollës dhe fëmijëve”, tha Sulejmani.
Në emër të banorëve të fshatit Kalishtë, Sulejmani ka informuar se renovimi i shkollës së vjetër është bërë me mjete vetanake dhe se arsyetimi se mjetet për ndërtimin e shkollës së re janë përdorur për renovimin e shkollës së vjetër nuk mbanë.
“Dyshimi i qytetarëve është se në dokumentacionin oficial qëndron shkollë e re me tre kate. Gjë që nuk është e vërtet. Këtu janë edhe fotografitë si duket sot e 20 vjet më parë kjo shkollë që na qenka tre katëshe. Nëse vërtet qëndron ashtu në arkiva. Kërkoj informatë të detajuara me rastin në fjalë. Dyshimet tona janë që janë bërë keqpërdorime dhe shpresoj të marrim informatat e duhura, gjë që në të kaluarën ka qenë e pa mundur”, tha Sulejmani.
Në fund deputeti Salim Sulejmani tha se nëse MASH ka hequr dorë përfundimisht për ndërtimin e shkollës së re, atëherë lusim autoritet që të heqin bazamentin e betonit, që të sigurohet një fushë sportive që nxënësit të ushtrojnë aktivitete lirshëm, rehatshëm dhe sigurt në atë lokacion.
“Është gjynah, mëkat i një manipulimi, një gënjeshtre dhe një shprese të rrejshme të asaj kohe që ndokush do u bëjë shkollë të re dhe shtyllat e betonit të rrinë aty për 20 vjet, derisa fëmijët të mos mund të lëvizin lirshëm”, deklaroi në fund Sulejmani.
https://www.facebook.com/salim.sulejmani.98/videos/1156244559783800/